Pesë vjet pa Nexhmije Pagarushën, “bilbili i Kosovës”

Pesë vjet pa Nexhmije Pagarushën, “bilbili i Kosovës”

Pesë vjet më parë u nda nga jeta këngëtarja e shquar Nexhmije Pagarusha, e njohur ndryshe si “bilbili i Kosovës”.

E lindur në maj 1933, në Malishevë, Nexhmije Pagarusha nisi karrierën e saj muzikore në vitin 1948 në Radio Prishtina. Më 1984 ajo përmbylli karrierën si këngëtare.

Zëri i saj karakteristik e shndërroi në një ikonë të papërsëritshme, bazuar në dhuntitë dhe talentin e saj të pakufishëm.

Përveç këngëtare ajo ishte edhe aktore filmi e teatri. Për kontributin e dhënë është nderuar me çmimin “Nderi i Kombit” nga presidenca e Shqipërisë, ndërsa presidenca e Kosovës i akordoi çmimin “Artiste e Merituar”.

Nexhmije Pagarusha, vdiq në moshën 86-vjeçare. Ajo la pas vetes pesë albume e 88 këngë, prej tyre më të njohurat “Baresha” dhe “Zambaku i Prizrenit”.

Pagarusha do të mbahet mend si një model referimi për brezat e rinj të artistëve dhe yll i pashuar i muzikës shqiptare. (KosovaPress)

Share This