Gjenden kutitë e zeza të avionit që u përplas me helikopterin në Uashington
Kutitë e zeza të gjetura një ditë më parë pritet të zbulojnë shkakun e aksidentit fatal mes një avioni dhe një helikopteri ushtarak në Uashington.
Përplasja që vrau 67 persona në bordet e të dyja mjeteve konsiderohet për SHBA-në më katastrofikja në gati një çerek shekulli për bilancin që shkaktoi.
“Regjistruesi ndodhen në laboratorët e Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit (NTSB),” njoftuan autoritetet, ndërsa shefi i NTSB-së tha se nuk do të “lërë gurë pa lëvizur” në hetimet e veta.
BBC raporton se zyrtarët kanë rikuperuar regjistruesin e të dhënave të fluturimit dhe regjistruesin e zërit në kabinë, të njohur si “kutitë e zeza”, nga avioni i American Airlines pas përplasjes së mërkurën në mbrëmje.
Kutitë e zeza mund të ndihmojnë në ofrimin e të dhënave për atë që ndodhi gjatë fluturimit.
Regjistruesi i zërit bën pikërisht atë që sugjeron emri i tij – kap bisedat e pilotëve, zhurmat e sfondit dhe ndërveprimet me kontrollin e trafikut ajror.
Regjistruesi i të dhënave regjistron informacionet operacionale nga sistemet e avionit, duke përfshirë pozicionin e disa çelsave dhe levave, si dhe komandat e dhëna nga pilotët.
Të paktën 28 trupa u gjetën të enjten në ujërat e ngrirë të lumit Potomak.
Avioni i linjës “American Airlines”, me 60 pasagjerë dhe 4 pjesëtarë të ekuipazhit, po ulej në pistën e aeroportit kur helikopteri me tre ushtarakë hyri në vijën e tij të fluturimit. Aksidenti ndodhi më pak se 5 kilometra nga Shtëpia e Bardhë.