
OVLUÇK thirrje për protestë në Hagë më 14 shtator
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK), Hysni Gucati, ka njoftuar se më 14 shtator 2025, në ora 14:00, do të mbahet protestë në Hagë për, siç thotë ai, të ngritur zërin kundër padrejtësisë që po ndodh në emër të drejtësisë.
“Gjykata Speciale, e themeluar nën pretekstin e drejtësisë, është shndërruar në një farsë politike, e cila vetëm drejtësi nuk ndanë. Krerët dhe pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen padrejtësisht, ndërsa faji po iu ngarkohet atyre të cilët luftuan dhe çliruan Kosovën nga regjimi dhe pushtimi serb,” ka shkruar Gucati.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës në Hagë për të treguar, siç tha, se UÇK-ja nuk ishte organizatë kriminale, por çlirimtare.

