Fitorja e Trump-it, Biden: Premtoj tranzicion paqësor të pushtetit, demokratët do ringrihen sërish
Pas fitores së zgjedhjeve nga ana e Donald Trump, ka reaguar edhe presidenti në detyrë Joe Biden. Ai deklaroi pak çaste më parë se populli amerikan meriton një tranzicion “paqësor dhe të rregullt”.
“Për më shumë se 200 vjet, Amerika ka kryer eksperimentin më të madh në vetëqeverisje në historinë e botës. Kjo nuk është hiperbolë. Ky është një fakt. Aty ku populli voton dhe zgjedh liderët e tyre, dhe ata e bëjnë këtë në mënyrë paqësore. Dhe ne jemi në një demokraci. Vullneti i popullit gjithmonë mbizotëron”, u shpreh nga Kopshti i Trëndafilave.
Biden shtoi se në bisedën e tij me Donald Trump ai ka komunikuar me të duke “i uruar fitoren dhe e sigurova se do të drejtoja të gjithë administratën time që të punojë me ekipin e tij për të siguruar një tranzicion paqësor dhe të rregullt. Kjo është ajo që meriton populli amerikan”.
Sa i përket humbjes së demokratëve në këto zgjedhje, ai theksoi se “të gjithë rrëzohemi, por masa e karakterit tonë, siç do të thoshte babai im, është se sa shpejt ngrihemi përsëri”
“Një disfatë nuk do të thotë se ne jemi mundur. Ne e humbëm këtë betejë. Amerika e ëndrrave tuaja ju bën thirrje që të ngriheni përsëri. Fryma amerikane vazhdon”, nënvizoi Biden.
Presidenti Joe Biden theksoi ndikimin e administratës së tij duke shpjeguar se mbi një trilion dollarë u investua në infrastrukturë gjatë administratës së tij, e cila do të ndryshojë jetën e njerëzve në komunitetet rurale dhe komunitetet që janë në vështirësi.
Presidenti Joe Biden lavdëroi zëvendëspresidenten Kamala Harris për karakterin e saj.
“Ajo drejtoi një fushatë frymëzuese dhe të gjithë panë diçka që mësova që herët ta respektoja aq shumë, karakterin e saj. Ajo ka një shtyllë kurrizore si një dash dhe ka karakter të madh, karakter të vërtetë. Ajo u përpoq me mish e me shpirt. Ajo dhe i gjithë ekipi i saj duhet të jenë krenarë për fushatën që drejtuan”, tha më tej Biden. /rtsh/