
Vlora Çitaku i përgjigjet Kurtit me ironi: “Mos na e qaj dertin neve, Albin” – përplasjet politike intensifikohen para 28 dhjetorit
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit dhe kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili në një tubim me mërgimtarë në Oslo komentoi zgjedhjen e Bedri Hamzës si kryetar të ri të PDK-së, duke thënë se “kryetari i PDK-së gjithmonë është dikush që s’është”.
Çitaku i është përgjigjur Kurtit me ironi, duke thënë se kryeministri, pasi “i ka kryer” të gjitha punët madhore për vendin, paska vendosur të merret edhe me PDK-në.
“Pasi ‘e integroi’ Kosovën në BE e NATO, ‘e rriti’ ekonominë, ‘i uli’ çmimet, ‘i rriti’ pensionet dhe ‘ndërtoi’ kapacitete të reja energjetike, Albin Kurti paska vendosur t’ia qajë hallin edhe PDK-së. Mos na e bajë dertin neve, Albin. Ne kryetar e kemi Bedri Hamzën”, shkroi ajo.
Në fund të reagimit, Çitaku paralajmëroi se “Shihemi me 28 Dhjetor”, duke e lidhur debatin me zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Kryeministri Kurti, në tubimin e mbajtur të dielën në Norvegji, kishte shpjeguar pse nuk i kishte dërguar ftesë për koalicion PDK-së, duke e cilësuar Bedri Hamzën si “destruktiv” dhe duke nënvizuar se ndryshimi i emrit të kryetarit nuk nënkupton ndryshim të qëndrimeve politike të partisë.
“Mundesh me ia ndërru emrin e një njeriu dhe fytyrën e personit, por nëse qëndrimet janë identike, nuk po ndryshon situata”, tha Kurti.
Përplasjet VV–PDK po intensifikohen ndërsa fushata elektorale afrohet, duke paralajmëruar një garë të ashpër politike më 28 dhjetor.

