SHBA godet Iranin pas sulmit ndaj një anijeje mallrash në Ngushticën e Hormuzit

SHBA godet Iranin pas sulmit ndaj një anijeje mallrash në Ngushticën e Hormuzit

Ushtria amerikane ka ndërmarrë sulme ndaj objektivave ushtarake iraniane, pasi Uashingtoni akuzoi Teheranin për shkelje të armëpushimit pas një sulmi me dron ndaj një anijeje mallrash në Ngushticën e Hormuzit.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se goditi objekte për magazinimin e raketave dhe dronëve, si dhe pozicione të radarëve bregdetarë. Sipas saj, operacioni ishte një përgjigje ndaj sulmit të së enjtes ndaj një anijeje tregtare, incident që detyroi pezullimin e një operacioni të planifikuar për evakuimin e mijëra marinarëve të bllokuar në rajon.

Presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi veprimin iranian si një “shkelje të pakuptimtë” të armëpushimit, ndërsa CENTCOM deklaroi se sulmi ndaj anijeve tregtare cenon lirinë e lundrimit dhe sigurinë e një prej korridoreve më të rëndësishme të tregtisë ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, autoritetet iraniane thanë se anija po kalonte në një rrugë të paautorizuar në Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) akuzoi SHBA-në për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.

IRGC deklaroi se kishte ndërmarrë sulme hakmarrëse ndaj pozicioneve ushtarake amerikane në rajon, pa dhënë detaje të mëtejshme, dhe paralajmëroi se çdo agresion i ri do të përballet me një përgjigje edhe më të fortë.

Tensionet në rajon janë rritur ndjeshëm që nga fundi i shkurtit, kur Irani mbylli Ngushticën e Hormuzit pas sulmeve amerikane dhe izraelite. Mbyllja e kësaj rruge strategjike ndikoi në rritjen e çmimeve globale të naftës dhe pengoi qarkullimin e mallrave të rëndësishme.

SHBA dhe Irani kishin arritur më 17 qershor një memorandum mirëkuptimi me 14 pika për t’i dhënë fund armiqësive, i cili parashikonte gjithashtu garantimin e kalimit të sigurt të anijeve tregtare për një periudhë 60-ditore.

Pas sulmeve të fundit, nënpresidenti amerikan JD Vance deklaroi se nëse Irani “ka mosmarrëveshje për mënyrën se si po zbatohet memorandumi, ata mund të marrin telefonin” duke paralajmëruar se “dhuna do të përballet me dhunë”. /rtsh/

Share This