Takime në Istog dhe Podujevë – Bedri Hamza: Angazhimi ynë për të krijuar një të ardhme më të mirë për çdo qytetar
Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, edhe sot ka vazhduar takimet me qytetarë, në Istog e Podujevë, ku ka bërë premtime të ndryshme.
Ai në Istog ka folur për investimet e munguara, ku ka premtuar përkrahje për zonën e Dukagjinit, ku premtoi investime në shëndetësi, arsim, por jo vetëm, kurse mbështetje ju premtoi edhe llapjanëve në takimin që zhvilloi në Podujevë, ndërsa ka thënë se do të punojnë parreshtur në çdo fshat e qytet që të krijojnë mundësi të reja, shkruan Reporteri.net.
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka marrë pjesë në një tubim në Istog, ku tha se Dukagjini do ta ketë mbështetjen e duhur për investimet e munguara.
“Jam i lumtur që jam në Dukagjin, në mesin e njerëzve të mirë dhe punëtorë”, tha Hamza.
Ai tha se duhet të digjitalizohet arsimi.
“Ne duhet të bëjmë arsim për shekullin 21, duhet të lëvizim kah digjitalizimi i arsimit, duhet të lëvizim t’i përgadisim të rinjtë dhe të rejat tanë për tregun e punës që të jenë të barabartë me moshatarë e tyre gjithandej.”
Hamza shtoi se duhet të ketë më shumë investime në shëndetësinë primare.
“Më shumë investime në shëndetësinë primare, më shumë investime në spitalet regjionale që me e shkarku qendrën kryesore në Prishtinë, më shumë barna.”
Kurse në takimet me qytetarët në Podujevë, Bedri Hamza, ka thënë se PDK për llapjanët e ka ofertën më të mirë.
“Sonte në Podujevë, të bashkuar, të vendosur dhe të bindur që për llapjanët dhe të gjithë qytetarët e kemi ofertën më të mirë. Në çdo fshat, në çdo qytet, në tërë Kosovën, pareshtur do të punojmë që të krijojmë mundësi të reja, cilësi më të mirë të jetës dhe të ardhme më të mirë”, ka shkruar Hamza në Facebook.