
Presidentja Osmani reagon ndaj thirrjeve antishqiptare në Kumanovë: Heshtja zyrtare nxit urrejtje dhe rrezikon paqen
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj thirrjeve antishqiptare që u dëgjuan gjatë ndeshjes së futbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar në qytetin e Kumanovës.
Në deklaratën e saj zyrtare, Presidentja Osmani i ka cilësuar këto thirrje si “të papranueshme” dhe thellësisht në kundërshtim me frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë që duhet të karakterizojnë një shoqëri demokratike me synime drejt integrimit evropian.
“Shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, njësoj si çdo komunitet tjetër në rajon,” theksoi Osmani.
Ajo ka ngritur shqetësimin për heshtjen e autoriteteve më të larta shtetërore në Shkup, duke paralajmëruar se mungesa e një reagimi institucional ndaj gjuhës së urrejtjes krijon hapësirë për thellimin e ndarjeve ndëretnike dhe rrezikon stabilitetin social.
“Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për lidership që e refuzon gjuhën e urrejtjes dhe e mbron barazinë mes komuniteteve. Sporti duhet të jetë mjet për bashkim dhe jo për nxitjen e ideologjive përjashtuese që kujtojnë plagët e së kaluarës,” deklaroi Presidentja.
Osmani u bëri thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që të marrin masa të menjëhershme ndaj organizatorëve dhe individëve përgjegjës për përhapjen e thirrjeve diskriminuese, duke kërkuar ndëshkim të qartë dhe mbrojtje të vlerave të tolerancës.
“Republika e Kosovës do të mbrojë me vendosmëri dinjitetin e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë,” përfundoi Presidentja Osmani.


