SHBA: Izraeli të mbrojë më mirë civilët në Rripin e Gazës
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë që Izraeli të mbrojë më mirë civilët që përballen me vuajtje të konsiderueshme në Rripin e Gazës, tha dje në mbrëmje ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield.
“Këto kushte katastrofike janë parashikuar muaj më parë, por ende nuk janë adresuar. Kjo duhet të ndryshojë dhe tani”, tha Thomas-Greenfield në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
“Ne i bëjmë thirrje Izraelit të ndërmarrë hapa urgjente për ta bërë këtë”, shtoi ajo.
Ambasadorja amerikane tha se tashmë kishte raporte për kushte të mjerueshme në zonën humanitare në Rripin jugor dhe qendror të Gazës, ku më shumë se 1,5 milionë civilë ishin larguar.
“Janë ngritur shqetësime edhe për masat e qeverisë izraelite për të kufizuar dërgesat në Gazë. Përfshirë kufizimet burokratike për mallrat humanitare nga Jordania dhe mbylljen e shumicës së pikave kufitare në javët e fundit, këto kufizime do të kishin vetëm efektin e intensifikimit të vuajtjeve në Gazë”, tha Thomas-Greenfield.
Ajo përsëriti se civilët palestinezë duhet të lejoheshin të ktheheshin në komunitetet e tyre dhe t’i rindërtonin ato, duke shtuar se nuk duhet të kishte ndryshime territoriale në Gazë.
Kreu i Agjencisë së OKB-së për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinë në Lindjen e Afërt (UNRWA), Philippe Lazzarini, i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së se “Gaza nuk njihej më”.
“Nuk ka fund ferri. Të paktën 400,000 njerëz janë të bllokuar në zonë”, shkroi ai për situatën në Gazën veriore.
Ai tha se Gaza ishte bërë një varrezë për dhjetëra mijëra persona, duke përfshirë fëmijë. /atsh/