
Kryeministri polak përjashton dërgimin e trupave në Groenlandë: Pushtimi amerikan do të ishte “fundi i botës siç ne e njohim”
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, deklaroi të enjten se Varshava nuk ka asnjë plan për të dërguar trupa ushtarake në Grenlandë, pavarësisht se disa vende të tjera të NATO-s kanë nisur kontingjente të vogla për stërvitje të përbashkëta me forcat daneze.
Gjermania, Suedia, Franca dhe Norvegjia konfirmuan se po dërgojnë njësi ushtarake në territorin autonom të Mbretërisë së Danimarkës, pas shqetësimeve të rritura mbi përpjekjet e presidentit amerikan Donald Trump për ta vendosur Grenlandën nën kontrollin e SHBA.
Në një konferencë për shtyp, Tusk u pyet nëse Polonia do të ndiqte shembullin e aleatëve. Ai u përgjigj:
“Jo, nuk kemi plane të dërgojmë ushtarë polakë në Grenlandë.”
Duke folur më gjerë për situatën, ai paralajmëroi se një ndërhyrje ushtarake amerikane do të ishte një “katastrofë” dhe “fund i botës siç e njohim”.
Sipas tij, një konflikt i tillë do të shkatërronte rendin botëror të bazuar në solidaritetin e NATO-s, i cili ka penguar për dekada komunizmin, terrorizmin dhe forma të tjera të agresionit ndërkombëtar.
Tusk tha se nuk dëshiron të spekulojë nëse një pushtim është i mundshëm, por shtoi se “fatkeqësisht, asnjë skenar nuk mund të përjashtohet”, duke iu referuar veprimeve të administratës Trump deri më tani.
Ai kujtoi se gjatë takimeve të mëparshme, Trump i kishte bërë të qartë se “papriturat dhe surprizat, sidomos ndaj aleatëve, ishin metoda e tij e preferuar”.
Në rast se aleanca transatlantike shembet, Tusk theksoi se Europa do të duhet të përgatitet për të ndërtuar një arkitekturë të re sigurie me vendet që mbeten besnike ndaj projektit të Perëndimit si komunitet.
Javën e kaluar, Tusk bashkëfirmosi një deklaratë me kryeministrin e Danimarkës dhe liderët e Britanisë, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Spanjës, duke i bërë thirrje Trump-it të respektojë sovranitetin e Grenlandës.
Tusk, ish-president i Këshillit Europian, udhëheq një qeveri centriste, pro-BE, e cila shpesh ka qenë kritike ndaj Trump, por ka kërkuar të ruajë bashkëpunimin me SHBA.
Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, i afërt me opozitën e djathtë dhe aleat i ngushtë i Trump, ka mbajtur një qëndrim krejt tjetër.
Ai tha për BBC se çështja e Grenlandës duhet të mbetet “një bisedë mes kryeministrit të Danimarkës dhe presidentit Trump”.
Nawrocki e ka cilësuar Trump-in si “i vetmi lider që mund të mbrojë Europën nga kërcënimi rus” dhe ka shprehur shqetësime të ngjashme me të për drejtimin e Bashkimit Europian. /RTSH/


