Fonseca: Për ta mposhtur Leverkusenin s`duhet të gabojmë në mbrojtje
Trajneri i Milanit, Paulo Fonseca, ka thënë se skuadra e tij duhet të luajë një ndeshje perfekte në mbrojtje në përballjen kundër Bayer Leverkusen, që do të zhvillohet të martën në kuadër të Champions League.
Pas humbjes ndaj Liverpool, Milan kërkon të rikthehet te fitorja, ndërsa Leverkusen vjen me moral të lartë pas triumfit kundër Feyenoord.
“Për të mundur Leverkusenin, ne do të duhet të luajmë një ndeshje perfekte në mbrojtje. Do të jetë e ngjashme me atë kundër Liverpool. Ne duhet t’i japim vazhdimësi asaj që kemi bërë, nga pikëpamja mbrojtëse skuadra është rritur dhe do të jetë një test i mirë”, është shprehur Fonseca në konferencën për shtyp.
Ai gjithashtu foli për gjendjen fizike të sulmuesit Alvaro Morata, i cili është në dyshim për këtë ndeshje. “Ai bëri një përpjekje të madhe për të luajtur ndeshjen e fundit. Ai është në dyshim dhe do ta menaxhojmë me kujdes. Të shohim si do të jetë nesër, nuk duam të rrezikojmë”, ka thënë trajneri portugez.