Media britanike “Wanderlust”: Nëntë vendet më të mira për të zbuluar në Shqipëri
Për vite me radhë Shqipëria ishte e panjohur për botën. Tani, ky vend ballkanik me qytete të listuara në UNESCO, rrënoja të lashta arkeologjike, parqe kombëtare sekrete dhe limane me guralecë po fiton njohjen që meriton, shkruan Jessica Reid në një artikull të botuar në të përdishmen britanike “Wanderlust”
Përpara se popullariteti i saj të rritet, keni ende kohë për të vizituar Shqipërinë – pa turma vizitorësh – dhe përjetuar anën e saj më autentike.
Falë trashëgimisë së saj kulturore, peizazheve malore dhe plazheve që rivalizojnë Greqinë, Shqipëria po ecën përpara në botën e turizmit…
- Vëzhgoni shpendët – në Lagunën e Karavastasë
Laguna e Karavastasë – pjesë e Parkut Kombëtar “Divjakë-Karavasta” – është më e madhja në Shqipëri – me një sipërfaqe prej 42 km2 dhe e rrethuar nga pyje dhe këneta.
Është gjithashtu një terren i rëndësishëm mbarështimi për pelikanin kaçurrelë të rrezikuar, i cili mund të shihet duke folezuar në një nga ishujt e lagunës – në muajt e parë të vitit.
Zgjohuni herët për të vizituar një nga platformat mbi lagunë dhe merrni dylbitë për të vëzhguar jo vetëm pelikanët, por edhe flamingot, peshqit e egër dhe speciet e tjera.
Gjatë ditës, ju mund të eksploroni Parkun Kombëtar nga kulla e saj e vrojtimit 30 metra e lartë, që ndodhet pranë qendrës së vizitorëve.
- Kthehuni prapa në kohë – në Berat
I quajtur si “Qyteti i një mbi një dritareve” – falë dizajnit arkitektonik të qytetit pranë lumit Osum – Berati është një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Edhe pse historia e tij daton në vitin 300 para Krishtit, ndërtesat prej guri të bardhë të qytetit janë dukshëm të stilit otoman.
Kalaja e Beratit e shekullit të XIII përfshin gjithashtu shumë kisha bizantine dhe rrënoja të xhamive.
Do të ktheheni pas në kohë – duke ecur në rrugicat e tij me kalldrëm – por për të zbuluar historinë e qytetit drejtohuni në Muzeun e tij Kombëtar Etnografik – që ndodhet brenda një shtëpie tradicionale të ruajtur.
- Zbuloni kulturën e pasur – në Tiranë
Tirana mund të mos duket si qyteti më emocionues, por kur të filloni të eksploroni rrugët e saj, së shpejti do të vini re se është plot me ngjyra të gjalla.
Shumë ndërtesa ish-socialiste tani janë zbukuruar me bojëra të ndritshme dhe murale, duke e bërë vizitën në qytet – një gjueti thesari për artin.
Në zemër të Tiranës ndodhet Sheshi Skënderbej, një shesh i madh i rrethuar nga restorante dhe bare si dhe atraksione kulturore – si Kulla e Sahatit e ndërtuar në vitin 1822 dhe Muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë.
Për më shumë histori mbi të kaluarën e afërt të Shqipërisë, Muzeu Bunk’Art2 pasqyron kohën e kombit nën sundimin komunist, i vendosur brenda një prej bunkerëve të shumtë të qytetit të ndërtuar nën urdhrat e diktatorit Enver Hoxha.
- Vizitoni Gjirin e Vlorës
Përgjatë bregut jugperëndimor të Shqipërisë ndodhet Gjiri i Vlorës, pjesa më e madhe e të cilit përfshihet nga një park kombëtar i mbrojtur.
Gjiri i Vlorës është shtëpia e llojeve të ndryshme të kafshëve, duke përfshirë delfinët, breshkat dhe fokën e rrallë mesdhetare.
Gjithashtu, ai është i mbushur me plazhe të fshehura dhe limane të aksesueshme me varkë.
Merrni me qira një varkë për të eksploruar këto xhepa të fshehtë tëParkut Kombëtar, duke përfshirë ujërat magjike blu të Shpellës së Haxhi Aliut – që ndodhet në fund të Gadishullit të Karaburunit.
Ju gjithashtu do të gjeni plazhe të izoluara – ku mund të bëni kamping për një pasdite relaksi dhe noti në det.
- Shkoni për ecje në male
Në Shqipërinë veriore, majat e Bjeshkëve të Nemuna (Alpet Shqiptare) e shndërrojnë peizazhin në një parajsë për adhuruesit e ecjes.
Një nga shtigjet më të njohura është Qafa e Valbonës, një rrugë sfiduese 15 kilometra midis fshatrave Valbonë dhe Theth.
Duke ecur përgjatë një terreni të thyer, do të kaloni nëpër zona të pyllëzuara, livadhe dhe përgjatë lumit Valbona.
Megjithëse ecja zgjat 6-8 orë dhe mund të përfundojë brenda një dite, ju mund ta ngadalësoni atë për të qëndruar në bujtina gjatë rrugës.
Për të shkuar në Theth – nga lumi i Shalës – duhen afërsisht katër ditë duke ecur nëpër lugina dhe gryka dhe vendbanime të lashta.
- Rafting përgjatë lumit të fundit të egër të Evropës, Vjosa
Lumi Vjosa – lumi i fundit i egër në Evropë është shndërruar në një park kombëtar, duke siguruar mbrojtjen afatgjatë të këtij peizazhi natyror.
Ai është shtëpia e më shumë se 1000 llojeve të florës dhe faunës, duke përfshirë lundërza dhe shkaba, si dhe përfshin një trashëgimi të rëndësishme kulturore, pasi njerëzit kanë pushtuar brigjet e lumit për mijëra vjet.
Për aventurierët, një nga mënyrat më të mira për të përjetuar rrugën ujore të lumit të egër – është me kajak.
Shijoni peizazhet përreth duke lundruar në ujëra më të qetë.
- Eksploroni vendet e lashta arkeologjike
Në Gjirin e Vlorës ndodhet vendi arkeologjik i Orikumit.
Vendbanimi antik u zhvillua nga grekët në shekullin e V para Krishtit – përpara se të pushtohej nga Jul Çezari në vitin 48 para Krishtit.
Vendi tregon historinë e këtij porti strategjik përmes rrënojave të tij, ku dikur qëndronin shatërvanët, kishat dhe teatrot.
Për shkak të vendndodhjes së saj brenda një zone ushtarake, vizitorët duhet të rezervojnë një turne me guidë për të siguruar hyrjen në vend.
Më në jug në qarkun e Vlorës, Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit është një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s – ku dikur sundonin perandori të ndryshme, nga romakët tek osmanët.
Amfiteatri romak këtu është një nga më të ruajturit në Evropë.
- Qëndroni në bujtina
Përjetoni zemrën autentike të Shqipërisë duke qëndruar në një nga fermat ose bujtinat e vendit – që gjenden kryesisht në vendet malore.
Në Tragjas, qarku i Vlorës, Sofo dhe Dhurata presin të ftuar për drekë dhe darkë, duke gatuar prodhimet e tyre – së bashku me raki të bërë vetë dhe akomodimin e tyre në kasolle të ndërtuara me gurë.
Në veri, “Neomalsore Agroturism” ndodhet në një vend mahnitës të izoluar – përgjatë Liqenit të Komanit dhe mund të aksesohet vetëm me varkë për rreth 70 minuta.
Si pjesë e përvojës së agroturizmit, vizitorët shpesh zbulojnë mënyrat tradicionale të jetesës në këto qoshe të thella të Shqipërisë.
- Riviera Shqiptare
Shqipëria është një zbulim i fundit për udhëtarët – kur bëhet fjalë për rërën dhe detin.
Riviera Shqiptare ofron një vijë bregdetare magjepsëse – me plazhe që mbulohen nga dallgët e detit Jon.
Pranë Buntrintit, Ksamili është një mini arkipelag ishujsh i pyllëzuar, me limane dhe laguna.
Poshtë fshatit bregdetar, Dhërmi – në majë të shkëmbinjve me shtëpitë të lyera me gëlqere – ndodhet një plazh i bukur me guralecë me të njëjtin emër.
Ju duhet të ecni rreth 30 minuta për të arritur në plazhin e Gjipesë, një plazh i vogël me gurë – ku nuk ka shumë njerëz për shkak të vështirësisë së aksesit.
Këto janë vetëm një pjesë e vogël e sugjerimeve – pasi ka qindra plazhe të tjera për t’u zbuluar përgjatë vijës bregdetare prej 300 kilometrash të Shqipërisë. /atsh/