Gruda: Votojmë çdo procedurë, mjafton të konstituohet Kuvendi

Gruda: Votojmë çdo procedurë, mjafton të konstituohet Kuvendi

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka deklaruar pas seancës se PDK-ja është e gatshme të votojë nënkryetarët e Kuvendit në çfarëdo forme të votimit, me kusht që të garantohet konstituimi i Kuvendit.

Gruda ka thënë se PDK-ja do të mbështeste votimin, qoftë të fshehtë apo të hapur, nëse Lëvizja Vetëvendosje garanton se Kuvendi do të konstituohet.

“PDK-ja voton nënkryetarët e Kuvendit në çfarëdo forme qoftë. Kanë një, kanë dy, kanë tre, kanë pesë, me votë të fshehtë, me votë të hapur, qyshdo që të jetë. PDK-ja do t’i votonte, nëse VV-ja siguron që e konstituojnë Kuvendin”, ka deklaruar Gruda, raporton rtk.

Ai ka theksuar se data 16 shtator është moment i rëndësishëm dhe se Kosova nuk mund të mbetet pa Kuvend.“Ne nuk mund të mos kemi Kuvend më 16 shtator. Kjo është e paprecedentë. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë vend normal demokratik, që të shpiken lloj-lloj pengesash për të mos e konstituuar Kuvendin”, tha ai.

Gruda ka kritikuar edhe diskutimet rreth mënyrës së propozimit të kandidatëve për nënkryetarë, duke thënë se një procedurë e ngjashme nga Lista Serbe ishte përdorur edhe në të kaluarën.

“Paska propozuar njëjtë Lista Serbe edhe para, vitin e kaluar, edhe në vitin 2021. Po s’paska qenë problem. Po shpiken probleme për të mos e konstituuar Kuvendin”, u shpreh Gruda.

Share This