
Haxhiu: Nënshkrimet për seancë s’u protokolluan, ankesat në Kushtetuese
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se partitë ish-opozitare nuk i kanë protokolluar 40 nënshkrimet për thirrjen e seancës së premtes, ndërsa për vazhdimin e seancës së sotme tha se kushdo që ka kundërshtime mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Haxhiu tha se njoftimi për mbajtjen e seancës kishte shkuar, por se 40 nënshkrimet nuk i ishin dorëzuar kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari.
“Unë jam këtu sepse është thirrur seanca nga kryesuesi, po të ishte thirrur edhe mbrëmë natyrisht do të vija. Dhe unw se kuptoj pse nuk i kanë protokoluar nënshkrimet. 40 nënshkrime nuk janë drejtuar Avni Deharit, prandaj nuk e kuptoj pse nuk i kanë dërguar. Në qoftë se ata kanë dashur të mbajnë seance është kaq e thjeshtë. Njoftimi që ne do të shkojnë në seancë ka ndodhur, por është e pamjaftueshme duhet që të protokolohen, nuk po e kuptoj pse nuk ka ndodhur. Sa kanë ardhur këtu dhe kanë dalë në konferenca së janë mbyllur dyert për deputetët kanë mundur shume thjeshte”, tha Haxhiu.
Ajo ka thënë se dyert e Kuvendit kanë qenë të mbyllura pasi nuk kishte seancë plenare të thirrur zyrtarisht.
“S’i kemi pasur 40 nënshkrime. S’jemi njoftuar se janë protokolluar. As kryesuesi nuk është njoftuar se janë protokolluar 40 nënshkrime. Kur protokollohen dorëzohen te zyra për parashtresa, e kryesuesi obligohet të thërrasë seancën konstituive. Kjo nuk ka ndodhur. Ka edhe mënyra të tjera se si thirret seanca e Kuvendit, qeveria dhe kryesia e Kuvendit. S’ka ndodhur asnjëra dhe s’ka pasur askush përgjegjësi nga administrata që të vije për sa kohë s’ka pasur seancë zyrtarisht. Kur ftohet zyrtarisht seanca, natyrisht që dyert hapen dhe i gjithë stafi është aty”, ka thënë Haxhiu.
Duke folur për situatën politike, Haxhiu ka thënë se duket se ekziston një përpjekje që vendi të shkojë sërish në zgjedhje, ndërsa ka thënë se një gjë e tillë nuk i duhet Kosovës.
“Kushdo që përpiqet që përmes veprimeve të tilla ta çojë vendin në zgjedhje, mendoj se e ka shumë gabim, sepse qytetarët na kanë votuar për të kontribuuar për marrëveshje, e jo që të veprojmë në mënyrë të tillë dhe të përpiqemi që ta çojmë vendin në zgjedhje. Nuk na duhen zgjedhjet”, ka thënë Haxhiu teksa ka akuzuar opozitën “që përmes bojkotit e ka sjellë Kosovën në këtë pozitë”.
Ajo tha gjithashtu se pozita e kryetarit të Kuvendit u është ofruar partive të tjera në përpjekje për të shmangur zgjedhjet.
Sa i përket vazhdimit të seancës konstituive të thirrur për sot në orën 11:00, Haxhiu tha se kushdo që ka kundërshtime mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
“Kushdo që ka probleme me seancën e sotme, unë e ftoj t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese”, tha ajo, raporton rtk.
Kuvendi i Kosovës ka thirrur vazhdimin e seancës konstituive për të shtunën, nga ora 11:00, ndërsa partitë ish-opozitare kishin kërkuar që seanca të mbahej të premten, duke theksuar se në mesnatë përfundonte afati kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit.

