“E bëri prokurori sikario, Jack Smith”: Rama flet për fjalët drejtuar Trumpit për Gjykatën Speciale

“E bëri prokurori sikario, Jack Smith”: Rama flet për fjalët drejtuar Trumpit për Gjykatën Speciale

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur sot në podcastin e tij për ish-krerët e UÇK-së, duke e quajtur procesin në Hagë “masakaradë të pabesueshme të drejtësisë ndërkombëtare”.

“Mbi të gjitha përcolla botërisht shqetësimin tonë kombëtar për masakaradën e pabesueshme të drejtësisë ndërkombëtare në Hagë, ndaj Hashim Thaçit dhe çlirimtarëve të Kosovës,” tha Rama.

Ai shprehu besimin se një “sensibilizim i ri” do të ndikojë në përgjegjshmërinë e trupës gjykuese.

“Kërkesa mizore për 45 vite burgim për Thaçin dhe tre udhëheqësit tjerë do të ndikojë në përgjegjshmërinë e trupës gjykuese, e cila duhet të zgjedhë mes drejtësisë për Kosovën dhe turpit të njollosësve të Kosovës.”

Rama akuzoi prokurorinë për dështim në provimin e tezës se UÇK-ja ishte një “sipërmarrje kriminale”. Ai shtoi se pafajësia e çlirimtarëve dhe poshtërësia e përndjekësve të tyre është bërë “vetëpërdhosje përfundimtare” e gjykatës.

Pak ditë më parë, Rama foli në Uashington gjatë inaugurimit të Bordit të Paqes për ish-presidentin Hashim Thaçi dhe për Gjykatën Speciale në Hagë.

“Dua të sjell vëmendjen te një konflikt tjetër i hapur, ku lidershipi i presidentit Trump gjatë mandatit të parë e solli Kosovën e Serbinë më afër se kurrë drejt një marrëveshjeje paqeje,” tha Rama, duke kujtuar ndalimin brutal të Thaçit për të udhëtuar në Shtëpinë e Bardhë.

“Kjo u bë nga prokurori i njëjtë ‘sikario’ që ndoqi edhe vetë presidentin Trump, e për bëtë u bë i famshëm tërë botën,” shtoi ai.

Ai iu drejtua drejtpërdrejt Trumpit: “Për hir Zotit, z. President të bëjmë diçka, para se, siç thoni ju, shumë gjëra të këqija të ndodhin sërish.”

Në Kosovë, presidentja Vjosa Osmani tha se barazimi i luftës çlirimtare me krimet e regjimit serb “minon drejtësinë” dhe dëmton themelet e paqes afatgjate në rajon.

Në promovimin e librit “Kur heshtja flet”, Rama e quajti kërkesën e prokurorisë për 45 vjet burg për katër ish-udhëheqës të UÇK-së “lajm të zymtë”.

“E pata të vështirë të shkruaja një fjalë, sepse përballë një situate të tillë fjalët nuk janë aspak të lehta për t’u gjetur,” tha ai.

Rama krahasoi situatën me vendimet për Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq, duke vënë në dukje se aktiviteti i katër ish-udhëheqësve të UÇK-së nuk ka lidhje me terror ndaj civilëve.

“Në qoftë se… duhet të vazhdojnë arrestimet, të arrestohet Bill Clinton, Javier Solana, Tony Blair,” shtoi ai, duke ironizuar procesin dhe duke e quajtur Zyrën e Prokurorit të Specializuar “Prokurori idiotësh”.

Sipas Ramës, situata është “shumë, shumë, shumë e rëndë” dhe kërkon një reagim të përbashkët Shqipëri-Kosovë, sepse, sipas tij, është një “katastrofë për vetë drejtësinë ndërkombëtare”.

Share This