Deliu: PSRK ka caktuar prokurore për hetimin e profilit “Lule Gjeli”, të hënën do ta denoncoj rastin

Deliu: PSRK ka caktuar prokurore për hetimin e profilit “Lule Gjeli”, të hënën do ta denoncoj rastin

Deputetja e zgjedhur e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, ka bërë të ditur se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) tashmë ka caktuar një prokurore për trajtimin e rastit që lidhet me profilin në Facebook “Lule Gjeli”, i cili dyshohet për përhapje të gjuhës së urrejtjes, kërcënime dhe shantazh.

Përmes një njoftimi publik, Deliu ka bërë të ditur se të hënën do të paraqitet në Prokurorinë Speciale për të dorëzuar kallëzimin dhe për të vënë në dispozicion çdo informacion që disponon lidhur me këtë rast.

Sipas saj, pas informatave se Prokuroria Speciale kishte nisur hetimet, ajo ka kontaktuar këtë institucion për të marrë sqarime shtesë, ku është informuar se çështja tashmë i është caktuar një prokuroreje.

Deliu u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që pretendojnë se janë shantazhuar, kërcënuar, fyer apo dëmtuar nga aktiviteti i këtij profili në rrjetet sociale, që të paraqesin dëshmitë e tyre pranë Prokurorisë Speciale.

Ajo ka publikuar edhe numrin e kontaktit të Prokurorisë Speciale, 044 666 492, duke u bërë thirrje qytetarëve të kërkojnë lidhje me prokuroren që po merret me rastin.

Deputetja e PDK-së theksoi se askush nuk duhet të jetojë nën frikën e kërcënimeve, shantazhit dhe gjuhës së urrejtjes, duke shprehur besimin se organet e drejtësisë do ta zbardhin plotësisht rastin dhe do të sigurojnë përgjegjësi për të gjithë ata që kanë shkelur ligjin.

Share This