IKSHPK: Qytetarët të mbrohen nga stuhitë dhe rrufetë

IKSHPK: Qytetarët të mbrohen nga stuhitë dhe rrufetë

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka kërkuar nga qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal gjatë motit të paqëndrueshëm, pas paralajmërimeve për stuhi lokale me bubullima dhe rrezik të shtuar nga goditjet e rrufesë në disa zona të vendit.

Sipas IKSHPK-së, qytetarët nuk duhet të presin përkeqësimin e motit, por të kërkojnë menjëherë strehim sapo të dëgjohet bubullima.

“Qytetarët duhet të futen menjëherë në një ndërtesë të mbyllur ose në një automjet dhe të mos presin që reshjet të intensifikohen”, thuhet në rekomandimin e institutit.

IKSHPK ka këshilluar që gjatë stuhive të shmangen hapësirat e hapura, si fushat, kodrat dhe terrenet sportive, ndërsa ka paralajmëruar se qëndrimi pranë pemëve, shtyllave elektrike dhe objekteve të larta mund të rrisë rrezikun nga rrufetë.

Instituti ka bërë thirrje që qytetarët të largohen menjëherë nga burimet ujore.

“Duhet të dilni nga pishinat, liqenet apo lumenjtë sapo të fillojë stuhia”, thuhet në këshillat mbrojtëse të IKSHPK-së.

Po ashtu, qytetarëve u është rekomanduar të mos përdorin pajisje elektrike të lidhura në prizë gjatë kohës së stuhisë dhe të qëndrojnë larg dritareve, dyerve dhe verandave.

IKSHPK ka theksuar se pas përfundimit të bubullimave duhet të pritet para daljes jashtë.

“Rekomandohet të pritet të paktën 30 minuta pas bubullimës së fundit përpara se të dilni sërish jashtë”, thuhet në njoftim.

Paralajmërimet për kujdes vijnë pas stuhive të ditëve të fundit, të cilat shkaktuan dëme të konsiderueshme në disa pjesë të Kosovës, përfshirë Istogun, Suharekën dhe Malishevën.

Share This