
SHBA vijon sulmet ndaj Iranit, Teherani: Uashingtoni po godet infrastrukturën civile
Përshkallëzimi i konfliktit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit vijon, ndërsa ushtria amerikane ka ndërmarrë valën e gjashtë radhazi të sulmeve ajrore ndaj objektivave iraniane. Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) deklaroi se operacionet synojnë të dobësojnë më tej aftësitë ushtarake të Iranit dhe të forcojnë bllokadën detare ndaj porteve iraniane.
Nga ana tjetër, mediat shtetërore iraniane pretendojnë se sulmet amerikane kanë goditur edhe infrastrukturë civile, përfshirë ura, një stacion hekurudhor dhe një aeroport.
Ministria iraniane e Shëndetësisë bën me dije se që nga rifillimi i luftimeve janë vrarë të paktën 38 persona dhe mbi 400 të tjerë janë plagosur.
Garda Revolucionare Islamike (IRGC) njoftoi se ka ndërmarrë sulme hakmarrëse ndaj radarëve amerikanë të mbikëqyrjes detare në Oman, si edhe ndaj objektivave ushtarake në Kuvajt, Bahrein dhe bazës amerikane në al-Tanf të Sirisë.
Ndërkohë, ushtria jordaneze deklaroi se ka rrëzuar tre raketa iraniane që hynë në hapësirën e saj ajrore, ndërsa autoritetet kurde në Irak raportuan se tetë dronë u neutralizuan mbi qytetin e Erbilit, pa viktima apo dëme.
Luftimet kanë ndikuar edhe në trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për transportin e naftës në botë. /rtsh/

