Slloveni Vincic do të gjykojë finalen e Botërorit 2026

Slloveni Vincic do të gjykojë finalen e Botërorit 2026

FIFA ka zyrtarizuar emrin e arbitrit që do të ndajë drejtësinë në finalen e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, e cila zhvillohet të dielën, më 19 korrik, nga ora 21:00.

Besimi i është dhënë arbitrit slloven Slavko Vincic, i cili do të drejtojë ndeshjen më të rëndësishme të turneut.

Momenti i njoftimit ishte mjaft emocionues për Vinčićin. Në një video të publikuar nga FIFA në rrjetet sociale, arbitri slloven shihet i përlotur pasi mësoi nga presidenti i Komisionit të Arbitrave të FIFA-s, Pierluigi Collina, se ishte përzgjedhur për të gjykuar finalen e madhe.

Në këtë sfidë, Vincic do të ndihmohet nga dy asistentët sllovenë, Tomaz Klancnik dhe Andraz Kovacic, ndërsa arbitër i katërt është caktuar Adham Makhadmeh nga Jordania.

Sistemi VAR do të drejtohet nga gjermani Bastian Dankert, i asistuar nga kolumbiani Nicolas Gallo dhe Khamis Al Marri nga Katari.

Finalja mes Spanjës dhe Argjentinës pritet të jetë kulmi i Botërorit 2026, ndërsa Vincic do të ketë përgjegjësinë të drejtojë një nga ndeshjet më prestigjioze në futbollin botëror.

Share This