
APK lanson platformën për konflikt të interesit për zyrtarët publik
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka lansuar platformën për parandalimin e konfliktit të interesit për zyrtarët publik.
Këtë e kanë bërë në kuadër të Javës për parandalimin e korrupsionit, dhe si pararendëse të temës së diskutimit “Edukimi i vazhdimit – çelës i parandalimit të konfliktit të interesit”.
“Me këtë platformë do të ofrojmë mundësi secilit zyrtar publik, secilit shërbyes civil që të mësojë bazën e parandalimit të konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik përmes një platforme të thjeshtë, të cilën e kemi zhvilluar në bashkëpunim me Institutin për Administratë Publike dhe e cila është financuar nga Ambasada e Gjermanisë përmes GIZ-it gjerman”, ka njoftuar Yll Buleshkaj, drejtor i APK-së.
Ai ka nënvizuar se hapi i radhës së bashku me Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike, do të jetë obligimi i çdo zyrtari shërbyes civil të trajnohen për përdorimin e platformës.
“Çfarë është tepër e rëndësishme është se programi është i shkurtër, kompakt, ku secili zyrtar, shërbyes civil brenda dy orësh mund të marrë bazën ku e kupton se çka mund të jetë konflikti i interesit dhe si fund i gjenerohet edhe një certifikatë e nënshkruar nga drejtori i IKAP-it, një certifikatë e cila është e njëjtë me të gjitha certifikatat e tjera që merren gjatë ndjekjes së trajnimeve të shërbimit civil në IKAP. Domethënë, edhe ndjekja e trajnimit, ata që e kryejnë në formë të suksesshme sepse e ka në fund testin, do të kenë edhe një dëshmi që e kanë përfunduar këtë trajnim elektronik”, ka thënë ai.
Sipas Buleshkaj, ky trajnim është i rëndësishëm edhe për zyrtarët që s’bartin pozita vendimmarrëse sepse shpeshherë caktohen si anëtarë në komisione të ndryshme jetike brenda institucioneve ku punojnë. /rtk/

