
Granit Xhaka reagon ndaj kritikave: Nuk kam kafshuar askënd
Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, ka thyer heshtjen pas raportimeve të fundit në mediat zviceriane, të cilat e përshkruanin atë si një figurë problematike brenda kombëtares.
Në një artikull të publikuar ditë më parë, një burim anonim kishte pretenduar se karakteri dhe ndikimi i mesfushorit 33-vjeçar kishin krijuar një atmosferë jo të shëndetshme në grup, duke e cilësuar praninë e tij si “toksike” për ekipin.
Xhaka iu përgjigj këtyre akuzave pas paraqitjes së shkëlqyer në fitoren 4:2 të Zvicrës ndaj Bosnje dhe Hercegovinës, ku kontribuoi edhe me një gol.
Në një intervistë për mediat zviceriane, ai theksoi se pretendimet ndaj tij janë të pabazuara dhe se raportimet e tilla e kanë prekur personalisht.
“Do të gënjeja nëse do të thosha se ajo që kam lexuar nuk më ka lënduar. Megjithatë, ajo që është shkruar nuk ka asnjë rëndësi për mua. Besoj se para se të publikohen akuza të tilla, faktet duhet të verifikohen”, deklaroi Xhaka.
Mesfushori me 148 paraqitje për përfaqësuesen zvicerane theksoi gjithashtu se nuk i shmanget asnjëherë debatit apo ballafaqimit të drejtpërdrejtë.
“Nëse dikush e ka të vështirë të pranojë kritikat e mia, atëherë ndoshta problemi qëndron diku tjetër. Unë jam gjithmonë i hapur për bisedë. Nëse dikush ka një problem me mua, le të vijë dhe të ma thotë në sy. Nuk kam kafshuar askënd”, u shpreh kapiteni zviceran.
Me këtë reagim, Xhaka duket se ka vendosur t’i japë fund polemikave që kanë qarkulluar së fundmi rreth rolit dhe ndikimit të tij brenda kombëtares së Zvicrës.

