
Dardanet e reja me fitore e mbyllin Kampionatin Mesdhetar
Kombëtarja e Kosovës për femra U16 e ka përfunduar me fitore paraqitjen në Kampionatin Mesdhetar.
Të shtunën, vajzat e Kosovës triumfuan ndaj Maqedonisë së Veriut pas ekzekutimit të penalltive, në ndeshjen për vendin e nëntë.
Kosova e nisi furishëm takimin, duke e fituar pjesën e parë me rezultat 8:4 dhe duke lënë përshtypje shumë të mira në mbrojtje dhe organizimin e lojës.
Megjithatë, në vazhdim lojtaret e Maqedonisë së Veriut reaguan dhe arritën të barazojnë rezultatin në 13:13, duke e çuar ndeshjen në penallti.
Në serinë e penalltive, kombëtarja jonë u tregua më e saktë, duke fituar 3:1, për rezultatin e përgjithshëm 16:14. Heroina e takimit ishte portierja Melisa Sefa, e cila priti tri penallti dhe vulosi fitoren e Kosovës.
Ky sukses përmbyll në mënyrë pozitive paraqitjen e hendbollisteve të reja në këtë kampionat, duke dëshmuar potencial dhe karakter në momentet vendimtare.


