
Prokuroria e Prishtinës në bashkëpunim me AKI-në kapin 60 kg drogë, arrestohen 1 shtetas kosovar, 2 serbë dhe 1 shqiptar
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Policinë e Kosovës përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë, pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, si dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore, ka zhvilluar një aksion në dy lokacione në Komunën e Prishtinës dhe në fshatin Babush të Komunës së Ferizajit, ku si rezultat janë sekuestruar rreth 60 kilogramë substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë.
Lidhur me këtë rast Prokuroria ka njoftuar se janë arrestuar katër (4) persona të dyshuar, prej të cilëve një (1) shtetas i Republikës së Kosovës, dy (2) shtetas të Republikës së Serbisë dhe një (1) shtetas i Republikës së Shqipërisë.
“Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, për shkak se të njëjtit dyshohen për kryerjen e veprës penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’, nga neni 267 par.3 lidhur me nenin 275 par. 1.9 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.Gjatë këtij aksioni janë sekuestruar: Rreth 60 kilogramë substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë, dy (2) vetura, dhe një (1) kamion”, thuhet në njoftim, transmeton GE.
Prokurori i Shtetit ka treguar se brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë penale

