
Vdes një i burgosur në Dubravë, dyshohet për vetëvarje
Një i burgosur ka humbur jetën sot në Qendrën Korrektuese të Dubravës, pasi dyshohet se ka kryer vetëvarje në pavijonin ku janë të vendosur personat me nevoja të veçanta.
Sipas një njoftimi të përbashkët nga Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve (DSHB), zyrtarët korrektues kanë hasur në rastin e të burgosurit me inicialet K.N. në Pavijonin D të institucionit korrektues.
“Menjëherë pas evidentimit të rastit, zyrtarët korrektues dhe personeli mjekësor kanë reaguar me urgjencë duke ofruar ndihmën e parë dhe duke e transportuar të burgosurin për trajtim në Spitalin Rajonal në Pejë”, thuhet në njoftim, raporton rtk.
Megjithatë thuhet, se pavarësisht përpjekjeve të stafit korrektues dhe ekipit mjekësor, i burgosuri ka ndërruar jetë.
Lidhur me rastin janë njoftuar Policia e Kosovës dhe prokurori kompetent, ndërsa SHKK dhe DSHB kanë bërë të ditur se janë iniciuar procedurat hetimore dhe administrative për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

