
Mblidhet kryesia e PDK-së, nisin përgatitjet për zgjedhjet e brendshme
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të kryesisë, ku në fokus kryesor ishin përgatitjet për procesin e zgjedhjeve të brendshme në të gjitha nivelet e organizimit partiak, nga nëndegët deri te pozita e kryetarit të partisë.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka theksuar rëndësinë e një procesi të rregullt, transparent dhe gjithëpërfshirës, duke garantuar standarde të larta demokratike në çdo fazë të tij.
Në kuadër të këtij procesi, është vendosur formimi i një grupi punues që do të ketë përgjegjësi për përgatitjen teknike dhe ligjore të zgjedhjeve të brendshme. Ky grup do të merret me orientimin, mbarëvajtjen dhe strategjinë e përgjithshme të procesit zgjedhor, me qëllim sigurimin e një organizimi të rregullt dhe efikas.
Sipas planifikimeve, zgjedhjet e brendshme në PDK pritet të nisin në muajin shtator, duke u dhënë kohë strukturave partiake për përgatitje të plotë në të gjitha nivelet.
Kryesia e partisë ka riafirmuar përkushtimin për një proces demokratik dhe përfaqësues, në përputhje me standardet e brendshme dhe traditën politike të subjektit.

