
Shënon Xhaka, Zvicra shkund Bosnjën
Zvicra ka regjistruar fitore bindëse 4:1 ndaj Bosnje dhe Hercegovinës në ndeshjen e Grupit B të Kupës së Botës 2026, duke bërë një hap të madh drejt kualifikimit në fazën eliminatore.
Skuadra e drejtuar nga Murat Yakin hasi në rezistencë të fortë nga boshnjakët për më shumë se një orë lojë, por zëvendësimet e bëra në pjesën e dytë rezultuan vendimtare për fatin e takimit.
Bosnja, e udhëhequr nga kapiteni veteran Edin Dzeko, i cili u rikthye në formacion pas mungesës në ndeshjen e parë, arriti të mbajë portën të paprekur deri në minutën e 75-të.
Megjithatë, pas pushimit për hidratim në pjesën e dytë, trajneri Yakin hodhi në fushë Johan Manzambi, Ruben Vargas dhe Djibril Soë, ndryshime që transformuan lojën e zviceranëve.
Manzambi zhbllokoi rezultatin në minutën e 75-të, duke realizuar golin e parë të ndeshjes. Vetëm gjashtë minuta më vonë, Bosnja mbeti me një lojtar më pak pasi Tarik Muharemović u ndëshkua me karton të kuq për ndërhyrje ndaj Breel Embolo.
Me epërsinë numerike, Zvicra dominoi plotësisht minutat e mbetura. Vargas shënoi për 2:0 në minutën e 84-t, ndërsa Manzambi realizoi golin e dytë personal dhe të tretin për ekipin e tij në fundin e kohës së rregullt.
Boshnjakët arritën të zbusin humbjen në kohën shtesë me Ermin Mahmić, por Zvicra reagoi menjëherë. Kapiteni Granit Xhaka vulosi fitoren 4:1 nga pika e bardhë, duke shënuar golin e tij të tretë në histori të Kupave të Botës.
Pas kësaj fitoreje, Zvicra shkon në katër pikë dhe është shumë pranë sigurimit të një vendi në fazën tjetër të Botërorit. Ndërkohë, Bosnja dhe Hercegovina do të kërkojë patjetër fitore në ndeshjen e fundit ndaj Katarit për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit.

