Rama reagon ndaj Iranit: Qeveria e ajatollahëve i bashkohet protestës

Rama reagon ndaj Iranit: Qeveria e ajatollahëve i bashkohet protestës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama reagoi sot sërish pas deklaratës së zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, i cili ka postuar edhe një video të protestës që po zhvillohet në Tiranë kundër investimit të planifikuar në Zvërnec të Vlorës.

“Ja edhe qeveria e ajatallohëve të Teheranit i bashkohet zyrtarisht protestës, madje edhe me parrullat në shqip njësoj si ata që e kthyen nga protestë mjedisore, në protestë për rrëzimin e qeverisë. Bashkëngjitur replika ime edhe në emrin e atyre protestuesve që janë akoma aty për të mbrojtur natyrën, jo për ta bërë Shqipërinë shesh për përsheshet e fuqive lloj-lloj, nga mesjetarët iranianë, që e duan të djegur këtë oaz shembullor të tolerancës ndërfetare e të marrëdhënieve të shkëlqyera qoftë me Izraelin, qoftë me vendet arabe apo Turqinë, tek grupime lloj-lloj e medie ndërkombëtare bashkë me lloj-lloj individësh nga lloj-lloj vendesh, që dufin me Trumpin po e nxjerrin këto ditë duke i përmbytur rrjetet sociale me lloj-lloj gjysmë të vërtetash, të cilat fryhen e fryhen duke u bërë gënjeshtrat më të mëdha”, theksoi Rama në një postim në rrjetet sociale.

Kreu i qeverisë u shpreh se “Shqipëria është shumë e vogël për të rënë në këtë kurth të madh, nga ku rrezikojmë të kthehemi me këmbët tona në pikën që të mos afrohet më asnjë investitor i huaj, ndërsa turizmi të mbetet shumë mbrapa krahasimisht me konkurentët tanë, duke na dënuar me qëndrimin në kategorinë e dytë për kushedi sa vjet të tjera”, raportojnë mediet shqiptare.

Share This