
Costa vlerëson progresin e Shqipërisë drejt BE-së: Reformat janë zgjedhja juaj për të ndërtuar institucione të forta
Presidenti i KiE-së, Antonio Costa, vlerësoi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, pas takimit të zhvilluar në Kryeministri.
Costa përgëzoi Shqipërinë për vendosmërinë e treguar në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke vënë në dukje edhe rolin e kryeministrit Rama në avancimin e këtij procesi. Ai kujtoi se javën e kaluar u shënua një tjetër hap i rëndësishëm në negociatat e anëtarësimit, teksa Shqipëria përmbushi kriteret ndërmjetëse për grupkapitullin e parë, “Themeloret”.
“Sot vlerësoj dhe përgëzoj vendosmërinë e Shqipërisë për t’u bërë shtet anëtar i Bashkimit Evropian. Kjo është edhe falë rolit tuaj, Edi, dhe angazhimit tuaj personal në këtë proces. Shqipëria ka përmbushur piketat ndërmjetëse për grupkapitullin e parë, ‘Themeloret’. Kjo tregon se shtetet anëtare kanë vlerësuar angazhimin e Shqipërisë për të ecur përpara në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian”, deklaroi Costa.
Sipas tij, ky sukses shënon fillimin e një faze të re të procesit të integrimit, e cila do të fokusohet kryesisht te zbatimi i reformave dhe krijimi i një historiku të qëndrueshëm rezultatesh.Ai nënvizoi se reformat e ndërmarra nuk duhet të shihen thjesht si kushte të vendosura nga Bashkimi Evropian, por si një zgjedhje strategjike e vetë Shqipërisë për të ndërtuar institucione më të forta dhe një demokraci funksionale.
“Ky është fillimi i një faze të re, më kërkuese, që do të përqendrohet te zbatimi dhe rezultatet konkrete që Shqipëria do të arrijë. Reformat, më shumë sesa kushte të vendosura nga Bashkimi Evropian, janë zgjedhja juaj për të ndërtuar institucione të forta demokratike dhe për të forcuar shtetin e së drejtës”, theksoi Costa.
Ky i fundit theksoi se sundimi i ligjir dhe ruajtja e një gjyqësori të pavarur dhe llogaridhënës janë themelet për anëtarësimin e Shqipërisë në union.
“Sundimi i ligjit dhe ruajtja e një gjyqësori të pavarur dhe llogaridhënës janë themel për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ju inkurajoj të përshpejtoni përpjekjet tuaja në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Bashkimi Evropian është partneri më i besueshëm i Ballkanit Perëndimor dhe i Shqipërisë. BE-ja mbështet ecurinë e Shqipërisë për t’u bërë një vend më i begatë dhe më i sigurt përmes projekteve konkrete“, u shpreh Costa. /rtsh/

