Trump: Jemi në prag të marrëveshjes me Iranin, por kemi kushte

Trump: Jemi në prag të marrëveshjes me Iranin, por kemi kushte

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se marrëveshja me Iranin është “në prag”, megjithëse ai ka kërkuar kushte më të forta për negociatorët e tij.

Trump e ka përsëritur këtë mesazh optimist prej disa javësh. Pas arritjes së një draft-memorandumi mirëkuptimi nga negociatorët e niveleve të ulëta javën e kaluar, ai kërkon ndryshime, sidomos në dispozitat që lidhen me asetet e ngrira të Iranit.

Nuk dihet saktësisht se çfarë ndryshimesh të tjera po kërkon, por lëvizja duket se synon të rrisë presionin mbi Iranin dhe udhëheqësin suprem të tij për të arritur një marrëveshje më shpejt.

Në një intervistë për Fox News , Trump shprehu sërish besimin se një marrëveshje është e mundshme.

Megjithatë, ai theksoi se SHBA-ja është e gatshme ta zgjidhë çështjen edhe me rrugë ushtarake nëse negociatat dështojnë.

Trump pretendoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kanë shmangur qëllimisht goditjen e disa pjesëve të infrastrukturës ushtarake iraniane, sepse disa elementë të ushtrisë iraniane konsiderohen “të moderuar politikisht”.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Republikës Islamike të Iranit, Abbas Araghchi, ka deklaruar se dialogu me Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdon përmes shkëmbimit të mesazheve, por ka paralajmëruar se çdo koment apo informacion i deritanishëm mbetet thjesht spekulim derisa të arrihet një marrëveshje e qartë.

Në një intervistë për agjencinë zyrtare iraniane të lajmeve IRNA, Araghchi theksoi se “dialogu dhe shkëmbimi i mesazheve janë në vazhdim” me palën amerikane, pavarësisht se negociatat kanë hasur në ngërç kohët e fundit. /rtsh/

Share This