
Arsenali në garë për trofe të dyfishtë, Odegaard: Jemi gati për gjithçka
Martin Odegaard ka deklaruar se skuadra e Arsenalit është plotësisht e përgatitur për të synuar një sezon historik, duke luftuar për titullin në Premier League dhe për trofeun e Ligës së Kampionëve.
Pas fitores ndaj Burnley, kapiteni i “Topçinjve” theksoi se ekipi është në moment të mirë dhe i fokusuar maksimalisht në objektivat e mbetura të sezonit.
“Jam shumë krenar. Ka qenë një sezon i jashtëzakonshëm deri tani. Kemi edhe një ndeshje të madhe në kampionat dhe pastaj finalen e Champions League. Duam t’i marrim trofetë në shtëpi,” u shpreh Odegaard.
Ai shtoi se skuadra do të japë gjithçka deri në fund të sezonit.
“Mund t’ju premtoj se do të japim gjithçka që kemi, do të vazhdojmë deri në fund dhe me mbështetjen tuaj do të jemi gati”, theksoi ai.
Në garën për titull, Manchester City duhet të përballet me Bournemouth, në një ndeshje që mund të vendosë fatin e kampionatit.
Ndërkohë, Arsenal mbetet në pritje të rezultateve për të parë nëse do të kurorëzohet kampion këtë fundjavë, ndërsa më pas do të fokusohet te finalja e madhe evropiane ndaj Paris Saint-Germain.

