
Trepça një hap larg titullit, mposht Bashkimin edhe në ndeshjen e tretë
Trepça ka shënuar një tjetër fitore të rëndësishme në serinë finale të kampionatit, duke e mposhtur Bashkimin me rezultat 80:84 në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.
Me këtë fitore, skuadra nga Mitrovicë ka regjistruar fitoren e tretë radhazi në serinë finale, duke u afruar shumë pranë mbrojtjes së titullit kampion.
Ndeshja u zhvillua me intensitet të lartë, ku pas pjesës së parë Trepça shkoi në pushim me epërsi 31:41, duke e menaxhuar më pas avantazhin edhe në pjesën e dytë të takimit.
Skuadra mitrovicase ruajti qetësinë në momentet vendimtare të sfidës, duke mos lejuar rikthimin e vendasve dhe duke e mbyllur ndeshjen me fitore të vlefshme në udhëtim.
Me këtë rezultat, Trepça është tashmë shumë pranë titullit kampion, ndërsa Bashkimi mbetet me detyrën e vështirë për të reaguar në ndeshjet e mbetura të serisë finale.

