
Kos: S’mund të ketë siguri në Europë pa Kosovën. Kurti: Të avancohet dosja për statusin e vendit kandidat
Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Europian, Marta Kos, gjatë një vizite zyrtare në Prishtinë, deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Europë pa Kosovën. Ajo shtoi se një nga prioritetet e saj është të përkujdeset për një integrim “shumë më të fuqishëm” të vendit në BE.
Në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Komisionerja Kos tha se procesi i zgjerimit ka perspektiva reale për pranimin e shteteve të reja në vitet e ardhshme.
“Jeni sot në një moment kritik. E para, jeni para zgjedhjeve. E dyta është se, kur kemi folur sot për procesin e zgjerimit nga një perspektivë më e gjerë, ajo që po përjetojmë sot në procesin e zgjerimit është përparimi dhe, për herë të parë pas zgjerimit të fundit në vitin 2013 me Kroacinë, ekzistojnë perspektiva reale që në vitet e ardhshme do të kemi shtete të reja anëtare. Ky proces i anëtarësimit është shtyrë përpara edhe për shkak të aspektit të sigurisë. Dhe kur kemi diskutuar për rolin e Kosovës në këtë, nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën. Kosova është pjesë integrale e një tabloje më të madhe, arsye pse zgjerimi sot është shumë më tepër sesa thjesht zgjerim. Ka të bëjë me kujdesin për sigurinë në Evropë, me të qenit bashkë, me bashkëpunimin rajonal që e përmendët edhe ju, dhe sigurisht edhe përmes integrimit në Bashkimin Evropian”, tha ajo, raporton RTSH.
Nga ana e tij, kryeministri Kurti kërkoi avancimin e aplikimit të Kosovës për statusin e vendit kandidat në BE. Ai theksoi se vendi është i lidhur ngushtë me politikën e jashtme të Bashkimit Europian dhe se mbështetja publike për anëtarësim qëndron rreth 90%.
“Janë bërë mbi 40 muaj që kur kemi aplikuar dhe momenti i ripërtëritjes së procesit të zgjerimit duhet të rezultojë me avancimin e merituar të Kosovës. Bashkimi i BE-së në vendimmarrje për Kosovën është detyrë e përbashkët. Vakumi që lë BE, po synohet të mbushet nga aktorë të tjerë dashakeq, që rrezikojnë sigurinë tonë të përbashkët”, tha Kurti.

