Hamza akuzon Qeverinë për presion në Drenicë: Ndalu, Albin

Hamza akuzon Qeverinë për presion në Drenicë: Ndalu, Albin

Kreu i Partisë Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza ka reaguar pas zhvillimeve të mbrëmshme në Drenicë, duke kritikuar ashpër veprimet e institucioneve të sigurisë dhe duke akuzuar Qeverinë për përdorim politik të shtetit.

Hamza tha se prania e njësive speciale të Policia e Kosovës në Drenicë përbën një demonstrim force dhe presioni ndaj qytetarëve.

“Skenat që pamë mbrëmë nuk janë aspak të mira. Me urdhër të Qeverisë, në Drenicë u dërguan njësi speciale me prapavija presioni dhe demonstrimi force”, deklaroi ai.

Ai i bëri thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të ndalë, siç u shpreh, propagandën politike, gjuhën e urrejtjes dhe provokimet që, sipas tij, po përdoren për interesa partiake.

Sipas Hamzës, pushteti nuk mund të shmangë pakënaqësinë qytetare përmes tensioneve politike dhe skenarëve përçarës.

“Ai nuk mund ta ndalë braktisjen nga votuesit me skenarë të rrezikshëm dhe përçarës. Ndalu, Albin”, u shpreh lideri i PDK-së.

Në fund të reagimit, Hamza u bëri thirrje mbështetësve të partisë së tij dhe qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të përgjigjen përmes procesit demokratik më 7 qershor.

“Aty do ta japim me votë përgjigjen ndaj politikës së përçarjes”, përfundoi ai.

Share This