
Nagavci: Shpërndarja e Kuvendit akt i paprecendent dhe antikushtetues
Shefja e Grupit Parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëria Nagavci e ka vlerësuar akt të paprecedent dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Kosovës.
“Shpërndarja e Kuvendit paraqet një akt të paprecedent i cili bie ndesh me rendit tonë kushtetues dhe ne do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese për këtë. Nuk ka asnjë arsye se pse duhej të ndodhte një akt i tillë sot në mëngjes”, ka theksuar Nagavci.
Ajo tha se me kërkesën e qeverisë, sot, në orën 14:00 ka qenë e ftuar një seancë parlamentare për shqyrtimin e marrëveshjeve parlamentare në vlerë prej 100 milionë eurove projekte në interes të qytetarëve. Ajo ka thënë se në këtë seancë ishin paraparë ratifikimi i marrëveshjes së kredisë për projektin e rrugës me shpejtësi të lartë Prishtinë-Mitrovicë, marrëveshja e kredisë për investime për projektin energjia diellore në KEK, marrëveshja për rindërtim dhe zhvillim për impiantin e ujërave të zeza dhe marrëveshja e kredisë mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për projektin e efiçiencës së energjisë në ndërtesa publike.
“Duhet ta bëjmë të qartë për qytetarët, ne kemi qenë të vetëdijshëm se ka shumë palë e grupe të interesit, të cilave u ka penguar mbështetja e madhe qytetare për Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Kurti. Gjithsesi, ne kemi bërë gjithë çfarë ka qenë në dorën tonë për të shmangur edhe një palë zgjedhje”, tha tutje Nagavci.
Ajo theksoi se që nga certifikimi i rezultateve të fundit të procesit zgjedhor dhe menjëherë pas konstituimit të institucioneve, si subjekt politik janë marrë intensivisht me çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke qenë se për këtë proces nevojiten mbi 80 deputetë.
“Si do të mund të arrinim një zgjidhje kur opozita as nuk propozoi kandidat, as nuk qëndroi në sallë, as nuk votoi për asnjë kandidat, e as nuk e konsideroi mundësinë e ndryshimit të kushtetues që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët”, shtoi tutje Nagavci.
Sipas saj, e gjendur në këto rrethana, përballë një bllokimi të plotë nga faktorët politikë, Lëvizja Vetëvendosje me qëllim që të shmangte zgjedhjet e reja, vendosi që të propozojë kandidatin e saj për president Glauk Konjufca.
“Edhe pas propozimit të tij ne lamë hapësirë për diskutim me opozitën dhe ofruam mundësinë që edhe ata të ofronin kandidatin e tyre, duke ia përsëritur gatishmërinë tonë për t’iu dhënë nënshkrimet e nevojshme. Përgjigja e opozitës në vazhdimësi ishte ‘Jo’. Asnjë propozim, asnjë emër, asnjë pranim të ofertës për nënshkrim. Asgjë tjetër, përveç se jo. LVV në përputhje me rezultatin e saj zgjedhor në vazhdimësi i ka ofruar alternativat për shmangie të zgjedhjeve, por natyrisht kjo është bërë e vështirë kur jemi përballur vazhdimisht me ‘Jo’ dhe asnjë propozim konkret”, nënvizoi Nagavci.
E pyetur nëse do të marrin pjesë në takimin e thirrur nga presidentja Osmani me partitë politike për konsultim për datën e zgjedhjeve Nagavci u shpreh: “Nuk besoj që ka asnjë arsye të merret pjesë në një takim të tillë, për faktin e thjesht sepse siç e thamë ky është një veprim i cili jo vetëm që bie ndesh me Kushtetutën, por është edhe një veprim i nxituar dhe që nuk është në interes të vendit”. /rtk/


