
Neymar vazhdon të shkëlqejë, Ancelotti po mendon ta rikthejë te Brazili
Neymar po rikthehet gradualisht në formën e tij më të mirë dhe paraqitjet e fundit me Santosin i kanë rihapur diskutimet për një rikthim të mundshëm në kombëtaren e Brazilit.
Sulmuesi brazilian ishte sërish protagonist në fitoren ndaj Bragantinos, duke e konfirmuar momentin pozitiv që po e kalon.
Forma e tij po vjen pikërisht në momentin më të rëndësishëm të sezonit dhe po e vendos Carlo Ancelottin përballë një vendimi të rëndësishëm.
Brenda një jave pritet lista zyrtare e të grumbulluarve të Brazilit dhe emri i Neymarit është rikthyer fuqishëm në diskutim, shkruan “Express”.
Në deklaratat e fundit, Ancelotti e ka bërë të qartë se Neymar mbetet nën vëzhgim dhe se gjithçka do të varet nga gjendja e tij fizike.
“Ai po rikthehet mirë pas dëmtimit në gju, po shënon gola dhe është në rrugën e duhur”, ka deklaruar selektori i Seleçaos.
Megjithatë, Ancelotti vazhdon të insistojë në një kriter të qartë: në kombëtare do të thirren vetëm lojtarët që janë 100% gati fizikisht.
Pikërisht ky ka qenë edhe problemi kryesor i Neymarit në muajt e fundit, pasi dëmtimet e shumta e kanë penguar të ketë vazhdimësi.
Në mars, Neymar mbeti jashtë listës së Brazilit për ndeshjet miqësore ndaj Francës dhe Kroacisë, vendim që shkaktoi shumë debat në opinionin sportiv brazilian.
Vetë futbollisti reagoi me zhgënjim, por premtoi se do të vazhdonte të punonte për të qenë gati për Botërorin 2026.
Tani situata duket ndryshe. Golat dhe paraqitjet bindëse me Santosin po i japin Neymarit shanse reale për t’u rikthyer te Brazili, ndërsa tifozët e Seleçaos shpresojnë ta shohin sërish liderin historik të kombëtares me fanellën verdhejeshile.

