Mojtaba Khamanei jep udhëzime për operacionet e Iranit, takoi kreun e komandës qendore ushtarake

Mojtaba Khamanei jep udhëzime për operacionet e Iranit, takoi kreun e komandës qendore ushtarake

Televizioni shtetëror iranian njoftoi të dielën se kreu i komandës qendrore ushtarake, Ali Abdollahi, zhvilloi një takim me udhëheqësin suprem të vendit, Mojtaba Khamenei, i cili nuk është parë në publik që nga emërimi i tij në mars. “Khamenei lëshoi direktiva dhe udhëzime të reja për vazhdimin e operacioneve për t’u përballur me armikun” – tha televizioni shtetëror, pa specifikuar se kur u zhvillua takimi mes tyre.

Khamenei, i cili thuhet se është plagosur në sulmet ajrore të 28 shkurtit, të cilat i morën jetën babait dhe paraardhësit të tij, Ali Khamenei, ka lëshuar vetëm deklarata me shkrim që nga emërimi i tij.

Sipas mediave vendase, Abdollahi i bëri të ditur liderit suprem se forcat iraniane ishin në gjendje gatishmërie të lartë, me pajisjet dhe armët e nevojshme për t’iu kundërvënë akteve armiqësore amerikano-izraelite.

“Në rast të ndonjë gabimi strategjik apo sulmi prej tyre, forcat tona do të përgjigjen shpejt, intensivisht dhe fuqishëm” – citohet të ketë thënë Abdollahi.

Takimi me komandantin e lartë ushtarak është i dyti brenda javës, pasi të enjten presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, deklaroi se kishte biseduar për mbi dy orë me Mojtaba Khamenein.

CNN raportoi më herët se inteligjenca amerikane vlerëson se Lideri Suprem po luan një rol kritik në formësimin e strategjisë së luftës së bashku me zyrtarë të tjerë iranianë.

Rrjeti amerikan tha gjithashtu se autoriteti i saktë brenda një regjimi tashmë të përçarë mbetet i paqartë, por Mojtaba Khamenei ka gjasa të ndihmojë në drejtimin e mënyrës se si Irani po menaxhon negociatat me SHBA-në për t’i dhënë fund luftës. /rtsh/

Share This