
Mediat iraniane: Teherani dorëzon përgjigjen e tij përmes Pakistanit ndaj propozimit amerikan për paqe
Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA raportoi se Teherani i ka dërguar Pakistanit, i cili po vepron si ndërmjetës në konflikt, përgjigjen e tij ndaj propozimit të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës.
Aktualisht nuk është publikuar asnjë informacion mbi natyrën e përgjigjes së palës iraniane.
Sipas burimeve, “sipas kuadrit të propozuar, negociatat në këtë fazë do të përqendrohen në çështjen e përfundimit të luftës në rajon” .
Ky është një sinjal se Irani po e zhvendos fokusin nga një armëpushim i përkohshëm tek një marrëveshje gjithëpërfshirëse për mbylljen e konfliktit.
Ndërkohë, tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit mbeten të larta. Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se nuk do të ketë marrëveshje pa garanci që Irani nuk do të zhvillojë armë bërthamore.
Nga ana tjetër, Udhëheqësi Suprem Mojtaba Khamenei ka theksuar se Irani do të “mbrojë aftësitë e tij bërthamore dhe raketore” dhe se aktorët e huaj nuk kanë vend në Gjirin Persik.
Administrata amerikane po përgatitet të zgjasë bllokadën detare të porteve iraniane, duke përfshirë një mbyllje afatgjatë të Ngushticës së Hormuzit.
Deri tani, SHBA ka kapur ose ridrejtuar rreth 40 anije që përpiqeshin të hynin ose të dilnin nga portet iraniane. Trump e ka cilësuar këtë strategji si “gjeniale” .
Pasojat ekonomike janë të ndjeshme: çmimet e naftës kanë arritur nivelin më të lartë në katër vitet e fundit, ndërsa çmimet e gazit në SHBA janë rritur ndjeshëm.
Tregjet ndërkombëtare janë të shqetësuara për dështimin e mundshëm të bisedimeve dhe për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit. /rtsh/

