
Atentat në Sarandë, ekzekutohet me armë zjarri pronari i një pike karburanti
Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur qytetin bregdetar të Sarandës mbrëmjen e të enjtes, ku një biznesmen ka mbetur viktimë e një atentati me armë zjarri. Lajmi bëhet i ditur nga gazetarja e RTSH 24.
Sipas të dhënave të para, ngjarja e rëndë është regjistruar në aksin e njohur si Qafë Gjashtë. Viktimë e këtij sulmi të armatosur ka mbetur shtetasi me inicialet R. I., i cili ushtronte aktivitetin e tij si pronar i një pike karburanti në këtë zonë.

Viktima ka marrë një plumb fatal në kokë, çka i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme në vendin e ngjarjes.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit për të shtënat, forca të shumta të Policisë së Shtetit kanë mbërritur në vendngjarje, duke ngritur një perimetër të gjerë sigurie.
Grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të plota, mbledhjen e provave materiale dhe sekuestrimin e kamerave të sigurisë në zonën përreth. Ndërkohë, po ngrihen pika kontrolli në rrugët dalëse të qytetit dhe po bëhet krehja e zonës për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të këtij atentati. /rtsh/

