
Kaos te Real Madridi, përplasen Valverde dhe Tchouameni
Tensione të forta kanë shpërthyer brenda kampit të Real Madrid, ku protagonistë të një përplasjeje të ashpër raportohet të kenë qenë Federico Valverde dhe Aurelien Tchouameni.
Sipas mediave spanjolle, dy mesfushorët fillimisht janë konfliktuar gjatë ditës së djeshme, ndërsa tensioni ka vazhduar edhe në stërvitjen e sotme.
Raportohet se para nisjes së seancës stërvitore, Valverde refuzoi t’i japë dorën Tchouamenit, duke krijuar menjëherë atmosferë të rënduar në dhomën e zhveshjes. Situata më pas doli jashtë kontrollit, teksa dy futbollistët u përfshinë në një përplasje fizike.
Siç raportohet, gjatë incidentit uruguaiani pësoi një lëndim aksidental, i cili e detyroi të kërkonte ndihmë mjekësore dhe të dërgohej në urgjencë për kontrolle shtesë.
Ngjarja ka alarmuar drejtuesit e klubit madrilen, të cilët kanë zhvilluar një takim emergjent me skuadrën. Në mbledhje mori pjesë edhe drejtori i përgjithshëm i klubit, Jose Angel Sanchez, ndërsa thuhet se ndaj të dy lojtarëve mund të merren masa disiplinore.
Ky episod vjen në një moment shumë delikat për madrilenët, vetëm pak ditë para “El Clasico”-s ndaj FC Barcelona, sfidë që mund të rezultojë vendimtare në garën për titull.
Brenda klubit, megjithatë, duket se prioritet aktual mbetet rikthimi i qetësisë në dhomën e zhveshjes.

