
Trump akuzon për qëndrim në pushtet pa votë, Zelenskyy: Gati për zgjedhje, nëse aleatët garantojnë sigurinë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka deklaruar se është i gatshëm të organizojë zgjedhje brenda 60 deri në 90 ditëve, nëse parlamenti dhe aleatët ndërkombëtarë e lejojnë, pas akuzave të presidentit amerikan Donald Trump se ai po qëndron në pushtet pa zgjedhje.
Zelenskyy, i irrituar nga komentet e Trump, tha se çështja e zgjedhjeve është “për popullin e Ukrainës, jo për shtete të tjera”.
Ai kërkoi ndihmën e SHBA-së dhe vendeve evropiane për të garantuar sigurinë e procesit zgjedhor.
Megjithatë, kushtetuta e Ukrainës ndalon zgjedhjet gjatë kohës së luftës, dhe opozita ka paralajmëruar se një votim tani do të ishte i rrezikshëm. Deputeti i opozitës Serhiy Rakhmanin tha se “do të ndihmonte vetëm armikun”.
Zelenskyy pranoi se sfidat kryesore janë logjistike – si do të votojnë ushtarët, të zhvendosurit dhe qytetarët nën pushtim – si dhe ligjore, pasi vendi ndodhet nën ligjin e luftës.
Ai shtoi se pret propozime nga aleatët dhe deputetët për mënyrën e organizimit të zgjedhjeve. Zelenskyy gjithashtu njoftoi se Ukraina po përgatitet për një takim të nivelit të lartë me SHBA-në mbi një marrëveshje paqeje, dhe se është e gatshme për një “armëpushim energjetik” nëse Rusia pranon.
Ndërkohë, Trump dhe djali i tij, Donald Jr, kanë akuzuar Zelenskyyn se po zgjat luftën për të ruajtur pushtetin, ndërsa Shtëpia e Bardhë ka sugjeruar që Ukraina të heqë dorë nga rajoni i Donbasit për paqe – një ide e papranueshme për shumicën e ukrainasve. /rtsh/


