Man City mposht Sunderlandin, Foden dhe Cherki shkëlqejnë në “Etihad”

Man City mposht Sunderlandin, Foden dhe Cherki shkëlqejnë në “Etihad”

Manchester City ka regjistruar fitoren e tretë brenda një jave, pasi triumfoi bindshëm 3-0 ndaj Sunderlandit në “Etihad Stadium”.

Me këtë sukses, skuadra e Pep Guardiolës ka fituar 12 nga 13 ndeshjet e fundit në shtëpi në Premier League, duke mbajtur ritmin në garën për titull.

Pas humbjes së Arsenalit më herët gjatë ditës, City e dinte se fitorja do t’i afronte në vetëm dy pikë me kreun, dhe që nga minutat e para dominoi lojën. Megjithatë, përkundër presionit të vazhdueshëm, vendasit hasën vështirësi në thyerjen e mbrojtjes së ngjeshur të Sunderlandit. Rayan Cherki krijoi një rast të artë për Erling Haaland, por norvegjezi nuk arriti të shënojë nga një mundësi që zakonisht e konkretizon.

Dominimi i Cityt u shpërblye në minutën e 31-të, kur Rúben Dias realizoi një supergol nga rreth 30 metra, duke e dërguar topin drejt e në trekëndësh. Vetëm katër minuta më vonë, Joško Gvardiol dyfishoi epërsinë me një goditje të fuqishme me kokë pas një këndi të Phil Foden – duke e çuar në 18 numrin e golave të Cityt në pjesët e para këtë sezon, më shumë se çdo ekip tjetër në ligë.

Në pjesën e dytë, Sunderland u përpoq të kthehej në lojë. Wilson Isidor iu afrua golit, por Gianluigi Donnarumma ndërhyri në kohë për të shpëtuar Cityn, ndërsa goditja e Granit Xhakës u ndal nga shtylla.

Mirëpo, shpresat e “Black Cats” u shuan përfundimisht në minutën e 65-të, kur Phil Foden shënoi golin e tretë pas një rabona-asisti spektakolar nga Rayan Cherki – një moment magjie që ngriti peshë gjithë “Etihadin”. Cherki ishte protagonist i padiskutueshëm dhe iu afrua golit personal pak minuta më vonë, por portieri Roefs reagoi mirë.

City menaxhoi qetë pjesën e mbetur të ndeshjes, duke konfirmuar formën e tyre dominuese. Ndërkohë, Sunderland bie në vendin e shtatë dhe tani përgatitet për derbin e madh të javës së ardhshme ndaj Newcastle United.

Me këtë fitore, Manchester City vazhdon presionin mbi Arsenalin në garën e ashpër për titullin e Premier League. /Rekordi.net

Share This