
Tre të vrarë nga sulmet izraelite edhe pas armëpushimit
Ushtria izraelite ka vrarë sot tre palestinezë në pjesën veriore të Rripit të Gazës, pavarësisht armëpushimit aktual, sipas njoftimeve palestineze.
”Tre persona të tjerë u plagosën gjatë një sulmi me dron ndaj një grupi civilësh perëndim të Beit Lahia”, njoftoi agjencia palestineze e lajmeve WAFA, duke cituar burime mjekësore.
Ushtria izraelite tha se në dy incidente të ndara, “disa terroristë” kaluan linjën e verdhë pas të cilës trupat izraelite u tërhoqën si pjesë e armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor.
”Duke u konsideruar si një kërcënim i menjëhershëm, trupat hapën zjarr dhe eliminuan tre nga terroristët”, njoftoi ushtria izraelite në Telegram.
Informacioni i dhënë nga të dyja palët nuk mund të verifikohej menjëherë në mënyrë të pavarur.
Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, në Rripin e Gazës ka pasur incidente të izoluar me pasoja fatale, ndërsa operacionet për të eliminuar çdo kërcënim të menjëhershëm po vazhdojnë, sipas ushtrisë. /atsh/


