
Juventus dhe Premier League duan të rrëmbejnë Maignan, Milan i bën ofertë të re rinovimi
Një penallti e pritur në derbi e bëri e hero. Maignan iu imponua Çalhanoglu poshtë ultrasve interistë, gati për të festuar, dhe ruajti fitoren e Milanit të tij. Nuk ishte hera e parë: e njëjta portë, i njëjti rezultat dhe një goditës i mirë si Dybala.
Mike është kthyer “Magic” dhe ia ka dalë vetëm falë punës dhe lodhjes. Në derbi nuk ishte vetëm penalltia, por dhe disa pritje të rëndësishme, si ajo pas gjuajtjes me kokë të Thuram. Ka shumë arsye që portieri i Milanit mori përqafimet e shokëve, puthjen në ballë nga Pavlovic, si dhe duartrokitjet e gjithë milanistëve.

Është një Maignan i ri, më elastik, më reaktiv dhe më i lumtur. I kundërt me sezonin e fundit. Në verë Allegri bindi klubin dhe portierin francez që të vazhdonin bashkë. Fakt është që Maignan ka ndryshuar dhe është një nga simbolet e Milanit. Ajo që nuk ka ndryshuar ka të bëjë me kushtet e kontratës që skadon në 2026-ën.
Klubi kuqezi ia hapur derën francezit për të qëndruar. Mbi tavolinë është një ofertë rinovimi edhe për 2-3 sezone të tjera, me 5 milionë euro neto në vit. Një rritje page e konsiderueshme në krahasim me 3.2 milionë eurot e kontratës aktuale, edhe pse mosha rritet. Maignan e meriton.
Për portierin e Milanit tashmë është rritur konkurrenca edhe nga kampionatet e tjera e veçanërisht nga klubet e pasur të Premier League. Po ashtu, ka edhe një pistë tjetër italiane, Juventusi. Igli Tare do të bëjë edhe një tentativë për ta mbajtur portierin. Shiriti i kapitenit që Maignan mban në krah e vërteton këtë gjë.
Mike ka një karakter të veçantë dhe një objektiv të rëndësishëm: kërkon të fitojë. Dhe rikthimi i Milanit në majat e futbollit italian, apo dhe përpjekjet për t’u kthyer protagonist në Champions, ndoshta do ta bindin të qëndrojë kuqezi. /rtsh/

