
Ali Ahmeti pas takimit më Lladrovcin, Hamzën e Lushtakun: Vetëm të bashkuar arrihen fitoret më të mëdha
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë vizitës së tij në Kosovë ka zhvilluar takime me kryetarin e Drenasit Ramiz Lladrovci, kryetarin e PDK-së Bedri Hamza dhe kryetarin e Skënderajt Sami Lushtaku.
Ahmeti, përmes një postimi shoqëruar me pamje nga takimet, ka uruar Lladrovcin dhe Lushtakun për mandatet e tyre të reja në krye të komunave, si dhe Hamzën për marrjen e detyrës si kryetar i PDK-së.
“Sot në Drenas, Skënderaj dhe Prishtinë pata kënaqësinë të takoj dhe të uroj miqtë e mi për përgjegjësitë e reja,” ka shkruar ai, duke theksuar se këto ditë sjellin jo vetëm detyra të reja, por edhe një mesazh për bashkim dhe koordinim në të mirë të qytetarëve të Kosovës.
Ahmeti theksoi se suksesi mund të arrihet vetëm përmes bashkimit dhe vizionit të përbashkët: “Vetëm të bashkuar, me vullnet të mirë dhe me vizion të qartë, arrihen fitoret më të mëdha.”


