
KDI: Vonesa e shpalljes së zgjedhjeve rrezikon funksionimin e institucioneve në vitin e ardhshëm
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka paralajmëruar se vonesa e shpalljes së datës së zgjedhjeve të parakohshme nga Presidentja Vjosa Osmani rrit rrezikun për funksionimin normal të institucioneve në vitin e ardhshëm.
Ai ka theksuar se pas dështimit të Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e Qeverisë, vendi ndodhet para afateve të ngushta kushtetuese dhe ligjore, të cilat kërkojnë veprim të shpejtë nga Presidentja.
Sipas Cakollit, çdo ditë e humbur i ngushton opsionet ligjore, i shtyn afatet dhe i afron institucionet e vendit me skenarë të pasigurt politik, kushtetues dhe fiskal.
Ai ka bërë të ditur se datat reale për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme mbeten 21 dhe 28 dhjetori, edhe pse Kushtetuta dhe Ligji për Zgjedhjet nuk janë plotësisht të harmonizuara për mënyrën e përllogaritjes së afateve.
Cakolli paralajmëron se nëse shpallja e datës shtyhet pas 22 nëntorit, edhe opsioni i 21 dhjetorit bie, duke e shtyrë mbajtjen e zgjedhjeve potencialisht në janar.
Zgjedhjet në janar sipas tij paraqesin rrezik të shtuar, pasi zgjatja automatike e ndarjeve buxhetore vlen vetëm për muajin janar, por jo edhe për shkurt, gjë që mund të krijojë bllokada në funksionimin e institucioneve.
Cakolli thekson se mbajtja e zgjedhjeve sa më herët në dhjetor është mënyra e vetme për të shmangur kriza të reja dhe për të siguruar kohë të mjaftueshme për formimin e institucioneve deri në ditët e para të marsit.
Ai paralajmëron se çdo vonesë e mëtejshme e shpalljes së datës e afron vendin me rreziqet e një skenari të pasigurt kushtetues, politik dhe fiskal.


