
Prishtina anulon mësimin për sot për shkak të rrezikut nga vërshimet
Procesi mësimor në të gjitha institucionet arsimore të Prishtinës është pezulluar për ditën e sotme, si masë parandaluese pas intensifikimit të reshjeve dhe rritjes së rrezikut për vërshime në kryeqytet.
Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini, i cili në një njoftim publik ka theksuar se vendimi është marrë pas vlerësimit të situatës së rënduar atmosferike dhe vështirësive të mëdha në qarkullim.
“Ju njoftojmë se për shkak të kushteve të përkeqësuara atmosferike, reshjeve të mëdha të shiut dhe vështirësive në komunikacion, në koordinim me Drejtorinë e Sigurisë dhe Emergjencave, Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe drejtorët përkatës të shkollave, procesi mësimor për ditën e sotme anulohet. Ky vendim është marrë edhe në koordinim me Kryetarin e Kryeqytetit, dhe është masë preventive e sigurisë për fëmijët tanë”, ka thënë Shahini, raporton rtk.
Komuna e Prishtinës ka falënderuar prindërit dhe komunitetin shkollor për mirëkuptimin, duke bërë apel për kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe me rrezik të lartë meteorologjik.
Instituti Hidrometeorologjik ka paralajmëruar se këto reshje mund të shkaktojnë vërshime të shpejta dhe rritje të nivelit të ujërave në disa lokalitete.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka bërë të ditur se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e situatës dhe koordinimin me institucionet relevante.
Agjencia u bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë qarkullimit, ti shmangin zonat me rrezik vërshimesh dhe të raportojnë çdo situatë emergjente në numrin 112.


