
Ish-kryediplomati shqiptar: Kosova po futet në rreth ciklik krizash, për presidentin s’ka garanci as pas zgjedhjeve
Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo është shprehur kritik ndaj zhvillimeve të fundit në Kosovë, ku vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme për shkak se partitë politike nuk arritën dakordësi për të zgjedhur Presidentin e ri.
Në një intervistë për “News24”, ai ka theksuar se partitë politike janë sjellë në mënyrë të papërgjegjshme përballë votuesve të tyre, duke e drejtuar gishtin tek të gjitha palët. Kritik u shpreh edhe ndaj partisë në pushtet Lëvizjes Vetëvendosje, duke theksuar se, si partia me shumicën, duhet të bënte kompromis.
“Po sillen si aktorë të papërgjegjshëm në një moment shumë delikat për vetë Kosovën. Nuk ka sesi të shpjegohet ndryshe që klasa politike ka arritur në këtë nivel sa të mos përfaqësojë as minimumin e ndërgjegjes politike për të gjithë ata shqiptarë që i votojnë. Nuk dua të përdor terma kategorikë për të cilësuar këtë sjellje të tyre, por është veprim i pandërgjegjshëm që nuk mund të kuptohet ndryshe veçse me instikte dhe nuk kanë të bëjnë me politikën e ndërgjegjshme dhe qytetare”, ka thënë Milo.
Sipas tij, Kosova po futet në një rreth krizash, duke shtuar se edhe me mbajtjen e zgjedhjeve të reja, nuk ka garanci se çështja do të zgjidhet.
“Kushdo që të jetë në pushtet duhet të ketë aftësinë për të bërë kompromiset e duhura edhe për të qeverisur dhe pa, në momente të caktuara, me një vullnet që nuk të çon asgjëkundi. Prandaj është e pakuptueshme sjellja e tyre dhe është për të ardhur keq. Nuk mund të them se fajin e ka njëra palë, përgjithësisht të dyja palët kanë përgjegjësi. Por ai që ka shumicën patjetër që ka përgjegjësi edhe më të madhe. Pasi LV-ja ka fituar 51 për qind të votave dhe ka marrë mandat të qartë për të qeverisur vendin, në çështjen e presidentit duhet të gjente kompromis me njërën nga dy forcat e tjera, për t’i siguruar vetes dhe Kosovës një qeverisje normale. Kosova po futet në një rreth ciklik krizash dhe nuk ka garanci, që edhe pas këtyre zgjedhjeve, do të mund të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme. Mund të komplikohet edhe më keq, se partitë politike do të paraqiten para zgjedhësve me çfarë alternativash. I kanë konsumuar të gjithë argumentet në zgjidhjet e mëparshme. Duke munguar një qeverisje normale, programet e tyre dhe interesat vihen në pikëpyetje”, ka thënë Milo.
I pyetur nëse do të ishte dashur ndërhyrja e ndërkombëtarëve, ai ka theksuar se ata janë të lodhur me Kosovën.
“Ndërkombëtarët duket se janë lodhur duke u marrë me Kosovën, ky është lajm tjetër i hidhur i keq. Se fakti që i kanë konsumuar këto këshillime që herë pas here i janë bërë politikës kosovare, dhe kryeministri nuk dëgjon dhe të bëjë kompromis e të lërë pe, në rastin konkret për të marrë edhe presidentin, kjo dëshmon se ata janë lodhur dhe nuk mund të them nëse ata do të vazhdojnë të këshillojnë apo do ta lënë Kosovën në rrjedhje të lirë”, ka deklaruar Milo


