
Llapi ndal Prishtinën, Drenica përmbys Dritën, Ferizaj fundos Prishtinën e Re
Llapi ka arritur një fitore të madhe në derbin ndaj Prishtinës, duke triumfuar me rezultat 2-1 në kuadër të javës së 11-të të Albi Mall Superligës së Kosovës.
Skuadra e Tahir Batatinës vazhdoi formën pozitive dhe serinë e fitoreve, duke ndalur kështu ecurinë e Prishtinës që kishte gjashtë fitore radhazi nën drejtimin e Arsim Thaqit.
Pjesa e parë u zhvillua me ritëm të lartë dhe raste nga të dyja anët, por vetëm vendasit arritën të tundin rrjetën. Në minutën e 40-të, Edon Sadriu shënoi për 1-0 pas një asistimi të bukur nga Muhamet Hyseni.
Në pjesën e dytë, loja ishte e hapur dhe emocionet vazhduan. Llapi dyfishoi epërsinë në minutën e 53-të me Axel Gnapin, duke e çuar rezultatin në 2-0 dhe vështirësuar situatën për Prishtinën.
Megjithatë, kryeqytetasit reaguan shpejt dhe falë zëvendësimit të goditur të Thaqit, Leotrim Kryeziu shënoi në minutën e 68-të për 2-1. Prishtina provoi deri në fund, por Llapi arriti ta ruajë avantazhin dhe të sigurojë tri pikë të vlefshme para tifozëve të vet.
Pas kësaj fitoreje, Llapi ngjitet në vendin e pestë me 16 pikë, ndërsa Prishtina mbetet në krye të tabelës me 25 pikë.
Në xhiron e ardhshme, Llapi udhëton te Drita, ndërsa Prishtina do të përballet me Gjilanin në shtëpi.
Drenica përmbys Dritën në Skenderaj – fund i serisë negative për kuqezinjtë
Ndërkaq, Drenica i është kthyer fitoreve pas katër humbjeve radhazi, duke mposhtur Dritën me rezultat 3-1 në ndeshjen e zhvilluar në Skenderaj.
Pjesa e parë kaloi pa shumë emocione, me pak raste dhe me lojë të përqendruar kryesisht në mesfushë.
Në pjesën e dytë, ishin mysafirët që kaluan të parët në epërsi. Albert Dabiqaj shënoi me kokë në minutën e 56-të për 0-1, duke i dhënë epërsi të përkohshme Dritës.
Por reagimi i Drenicës ishte i menjëhershëm. Ronaldo Chacon barazoi shifrat në minutën e 64-të, ndërsa vetëm nëntë minuta më vonë ai realizoi edhe golin e dytë personal, duke përmbysur rezultatin në 2-1.
Fitorja u vulos në minutën e 76-të, kur Kreshnik Uka gjuajti fuqishëm dhe dërgoi topin në rrjetë për 3-1.
Përkundër përpjekjeve të Dritës për t’u kthyer në lojë, rezultati mbeti i pandryshuar dhe pikët e plota mbetën në Skenderaj.
Pas këtij suksesi, Drenica ngjitet në pozitën e gjashtë me 14 pikë, ndërsa Drita mbetet e katërta me 17 pikë.
Ferizaj u kthehet fitoreve, fundos Prishtinën e Re
Ferizaj është rikthyer te fitorja, teksa ka triumfuar ndaj Prishtinës së Re me rezultat 3-0.
Vendasit e nisën më mirë ndeshjen, ku vetëm pas 20 minutave lojë kaluan në epërsi.
Ishte talenti i madh Erion Sadriu që realizoi gol për 1-0.
Me epërsinë minimale të skuadrës vendase u mbyllën 45 minutat e para të ndeshjes.
Edhe në pjesën e dytë më të mirë në fushë ishin vendasit.
Jakup Berisha realizoi një gol të bukur në minutën e 70-të për 2-0.
Krejt në fund të ndeshjes Remzifaik Selmani shënoi për rezultatin përfundimtar 3-0.
Me këtë fitore Ferizaj ngritët në pozitën e tetë në tabelë me 13 pikë, derisa Prishtina e Re mbetet e fundit me vetëm shtatë pikë.


