
Kurti: Ideali i vëllezërve Bytyqi, udhërrëfyes për të ecur përpara
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe te varrezat e vëllezërve Bytyqi, Yllit, Agronit dhe Mehmetit, në New York.
Ai ka thënë se ideali i tyre, që u flijuan 26 vjet më parë nga forcat serbe, mbetet udhërrëfyes për të ecur përpara.
“Duke i kujtuar e përkujtuar dëshmorët e kombit, në këtë rast vëllezërit Bytyqi, ne ia përkujtojmë vetes sonë çmimin e lartë që kemi paguar për lirinë dhe popullin tonë, por njëkohësisht ideali i tyre na shërben si udhërrëfyes për të arritur atë çfarë ata e kanë dashur dhe për të cilën janë flijuar”, është shprehur Kurti.
Vëllezërit Bytyqi ishin pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe u vranë më 23 qershor 1999 nga forcat serbe, pak ditë pas çlirimit të Kosovës.
Trupat e tyre u gjetën në vitin 2001 në një varrezë masive në Petrovo Sello, pranë Kladovës, së bashku me shqiptarë të tjerë të vrarë gjatë luftës.
Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së ka miratuar dy rezoluta, në tetor 2019 dhe korrik 2022, duke kërkuar veprime konkrete nga Serbia dhe bashkëpunim me drejtësinë ndërkombëtare për ndëshkimin e përgjegjësve.


