
“5 tetor 2026” | Nëse s’ka President, Kosova drejt zgjedhjeve të treta të jashtëzakonshme parlamentare brenda një viti si “dhurata” nga Albin Kurti për defunksionalizimin e shtetit
Data 5 tetor 2026 mund të shënojë pikën kritike për zgjidhjen e ngërçit institucional në Kosovë. Nëse deri në këtë afat nuk arrihet zgjedhja e Presidentit të Republikës, vendi hyn në një fazë të re politike, që mund të çojë drejt shpërndarjes së Kuvendit dhe organizimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
Kjo datë vie pasi Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka vendosur që seanca konstituive për Kuvendin e Kosovës të mbahët më 6 gusht 2026. Menjëherë pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, do të fillojnë të rrjedhin afatet për formimin e Qeverisë së Kosovës dhe afati 60 ditor për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.
Derisa për formimin e Qeverisë, Albin Kurti, që pritet të mandatohet, nuk pritet të ketë problem në numra, por situata komplikohet për zgjedhjen e të parit të shtetit të Kosovës.
Sipas afateve kushtetuese, në rast se posti i Presidentit mbetet i paplotësuar, institucionet nuk mund të qëndrojnë pafundësisht pa një zgjidhje. Nëse dështon procesi i zgjedhjes së kreut të shtetit, rruga e vetme institucionale mbetet kthimi te qytetarët përmes zgjedhjeve të reja.
Në këtë skenar, Kosova do të mund të përballej me zgjedhje të jashtëzakonshme në mesin e muajit nëntor, duke hyrë në një tjetër cikël politik vetëm pak muaj pas zgjedhjeve të fundit.
Afati 60-ditor për zgjidhjen e çështjes së Presidentit, i cili përfundon më 5 tetor 2026, e vendos shumicën parlamentare përballë një prove të rëndësishme politike. Nëse nuk sigurohen votat e nevojshme për zgjedhjen e Presidentit, kriza institucionale do të kalojë nga një çështje e brendshme parlamentare në një proces të ri zgjedhor.
Përveç pasigurisë politike, një skenar i tillë do të kishte pasoja edhe në funksionimin e institucioneve të vendit, në një kohë kur Kosova përballet me sfida të rëndësishme në raportet ndërkombëtare, proceset integruese dhe sigurinë. /demokracia/

